Sekretari i Ligës Myslimane: Turp që disa shtete islamike s’e kanë njohur Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Botës Myslimane, Muhamed bin Abdulkerim Al-Isa.

Kreu i shtetit e falënderoi sekretarin Muhamed bin Abdulkerim Al-Isa për vizitën dhe për mbështetjen që Arabia Saudite i ka dhënë Kosovës.

‘Duke marrë parasysh ndikimin e veçantë që shteti saudit ka tek shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), organizatë kjo që ka në radhët e saj 57 shtete anëtare, Republika e Kosovës ju është shumë mirënjohëse për përpjekjet e vazhdueshme të lobimit tuaj për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të OBI-it, që ende nuk e kanë bërë këtë’, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, Sekretari Abdulkerim Al-Isa, u shpreh se kauza e Kosovës për pavarësi ka qenë e drejtë dhe se është turpëruese që disa shtete islamike nuk e kanë njohur Kosovën, gjë që, sipas tij, ndikon edhe tek shtete të tjera në gjithë botën.

‘Kosova është model për tolerancën, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin në mbarë botën, vlera këto të kultivuara nga OBI dhe të cilat gjithsesi do të ndikojnë në njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare të mbetura të kësaj organizate’, ka thënë Karim Al-Issa.

Presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës për zotimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës së Botës Myslimane për angazhime të intensifikuara në përkrahje të konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

COMMENTS