Seanca për mbrojtjen e luftës së UÇK-së kthehet në polemika

Kuvendi i Kosovës po zhvillon seancë të jashtëzakonshme me temën: 'Mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së'. Seanca është thirrur nga Partia Demokra

Kuvendi i Kosovës po zhvillon seancë të jashtëzakonshme me temën: ‘Mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së’.

Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, pas konfirmimit të dënimit ndaj pjesëtarëve të gjykuar në rastin e njohur si ‘Drenica 1 dhe 2’, ku bëjnë pjesë kryesisht ish-udhëheqës të UÇK-së, përkatësisht figura politike të PDK-së.

Rasti i fundit, sipas PDK-së, ‘tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi, ishte një tendencë e mohimit të vlerave sublime’.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka deklaruar se nuk pajtohet me gjykime që si bazë kanë fakte të fabrikuara.

‘Në jemi të vetëdijshëm se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe për këtë pajtohemi të gjithë. Askush – nëse dëshmohet se ka bërë krime – nuk duhet të mos përgjigjet për veprat e kryera. Por, fjala dëshmi nënkupton dëshmi që të bindet jo vetëm avokati mbrojtës dhe pala akuzuese, por të binden të gjithë qytetarët, madje edhe e i akuzuar dhe të pranojë shkeljet ligjore dhe të kërkojë falje. Fatkeqësisht, po ndodh e kundërta. Po ndodh e kundërta ndaj ish-pjesëtareve te UÇK-së’, tha Pajaziti.

Kurse Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë kundër gjenocidit serb. Beqiri ka bërë thirrje që situatat e tilla të tejkalohen me qetësi, ngase, sipas tij, është proces i ndërtimit të shtetit ligjor.

‘Jemi të vetëdijshëm se si shtet duhet të ndërtojmë institucione të pavarura. Sado që është e ndjeshme, situata të tilla duhet t’i tejkalojmë me qetësinë, largpamësinë dhe përkushtimin tonë për bërjen e shtetit ligjor. Organet duhet të jenë të pavarura e të përgjegjshme’, tha Beqiri.

Sidoqoftë, sapo filloi debati, u vërejtën polemika të ashpra, të cilat u kthyen kryesisht në adresë të PDK-së nga ana e deputetëve të partive opozitare.

Rexhep Selimi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka fajësuar deputetët që votuan Gjykatën Speciale, të cilët, sipas tij, votuan për dënimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

‘Për çfarë vlera flasin ata deputetë që me veprime të tilla i shkelin këto vlera dhe i dënojnë paraprakisht këto vlera?! A nuk jeni ju deputetët e njëjtë që keni votuar edhe për amnistinë e kriminelëve serbë e sot vini këtu derdhni lot krokodili? A nuk jeni ju që keni kërkuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it e tash po dilni e kundërshtoni vendimet e tyre?’

‘Nuk është rasti i parë, sikur po i njëjti grup ka bërë thirrje për rastin Kiçina. Kërkuan rezolutë e pastaj të njëjtit kërkuan të heqim dorë nga ajo rezolutë. Ju sot nuk keni të drejtë të flisni në emër të UÇK-së, nuk keni të drejtë të flisni në emër të atyre që i keni çuar në burg e atyre që i keni lënë edhe pa pensione’, tha Selimi.

Ndërkohë, deputeti nga radhët e partisë NISMA për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se legjislatura aktuale nuk ka moral të flasë për UÇK-në, e madje as t’i shkojë në mendje që të flasë për të.

‘Ne sot kemi thirrur një seancë koti. Kjo seancë është e thirrur sa për t’ju hedhur hi syve qytetarëve dhe të palarat që i ka bërë ky Kuvend për t’u arsyetuar para qytetarëve. Ky Kuvend, veçanërisht kjo legjislaturë, nuk ka moral për të folur për UÇK-në. Është kjo legjislaturë që ka nxjerrë ligje e ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare për të luftuar UÇK-në’, tha Berisha, duke kërkuar që presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, të shpallet tradhtar i vendit me rezolutë.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, tha se drejtësia në Kosovë nuk është marrë asnjëherë me gjenocidin që e ka bërë Serbia në Kosovë, por me atë që janë vetëm pretendime.

‘E fituam një betejë me miqtë tanë, e sot po ndiqen ata më meritorët për çlirimin e vendit. Janë bërë dy dekada prej lirimit të Kosovës, menduam që u liruam, por kjo burgosje me dëshmi të paqena po del të jetë më e ashpër dhe me humbje të mëdha të UÇK-së’, tha Lekaj .

Pas thirrjes së kësaj seance janë shënuar edhe disa reagime nga shoqëria civile, duke e konsideruar atë si tendencë dhe përpjekje për ndërhyrje në punën e sistemit të drejtësisë.

‘REL’

COMMENTS