Së shpejti nënshkruhet kontrata për objektet e Ministrisë së Kulturës

Së shpejti nënshkruhet kontrata për objektet e Ministrisë së Kulturës

Vajza dhe libri piktura me miell e vaj e vizatuar në mal (Video)
Njihuni me talentin nga Podujeva që pikturon fytyrat publike (Video)

Komuna e Prizrenit së shpejti pritet të nënshkruajë kontratën për dy objektet e ndara për Ministrinë e Kulturës, e cila do të zhvendoset nga Prishtina në Prizren. Zyrtarë të Ministrisë thanë për Radio Kosovën se bartja e departamenteve do të bëhet në faza, ndërsa transporti i stafit mund të sigurohet nga Ministria e Kulturës.

Lokacionet e ndara nga Komuna e Prizrenit për Ministrinë e Kulturës, janë ndërtesa e ish-rektoratit të Universitetit të Prizrenit, i cili gjendet në qendrën historike të Prizrenit, si dhe ndërtesa e ish-xhandarmërisë, e cila është një ndërtesë me vlera të larta kulturore e historike. Këshilltari në Ministrinë e Kulturës, Samir Hoxha, tha për Radio Kosovën se në mbledhjen e fundit të asamblesë komunale në Prizren është marrë vendimi që këto dy lokacione t’i jepen në shfrytëzim kësaj Ministrie.

‘Ne tani jemi duke pritur që komuna të bëjë nënshkrimin e kontratës për të vënë në shfrytëzim këto dy ndërtesa. Në momentin që do të bëhet nënshkrimi i kontratës, në si ministri e kulturës do të vazhdojmë me procedurat e tjera për të zhvendosur një pjesë të stafit të ministrisë në qytetin e Prizrenit’, tha Hoxha.

Hoxha bëri të ditur, që përveç një pjese të kabinetit të ministrit që do të zhvendoset në Prizren, është menduar që të barten edhe dy departamente të tjera.

‘Ne kemi menduar që për shkak të konteksteve dhe rrethanave që ka qyteti i Prizrenit të bartim edhe departamentin e trashëgimisë kulturore, departamentin e kulturës dhe një pjesë të inspektoratit të trashëgimisë kulturore. Këto pra janë hapat e parë të bartjes’, tha Hoxha.

Hoxha tha se një pjesë e madhe e stafit jetojnë në Prishtinë por edhe në qytete të tjera. Për këtë, ai tha se do të gjendet një rrugëzgjidhje, duke përdorur mjete të transportit të siguruar nga ana e Ministrisë së Kulturës. Një nga prioritetet e ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ishte zhvendosja e një pjese të Ministrisë së Kulturës në qytetin e Prizrenit, duke marrë për bazë faktin se ky është një ndër qytetet më të vjetra me numrin më të madh të monumenteve të trashëgimisë historike, ku zhvillohet një numër i madh i aktiviteteve kulturore. Në përputhje me këto është marrë një vendim nga Qeveria e Kosovës, që një pjesë e Ministrisë gradualisht të bartet në qytetin e Prizrenit.

COMMENTS