Së paku 26 persona të vrarë nga sulmi në Teksas

Së paku 26 persona të vrarë nga sulmi në Teksas

Së paku 26 persona janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur kur një person i armatosur ka hapur zjarr në një kishë, tha Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott.

Sulmi i mbrëmshëm në një kishë baptiste në Sutherland Springs në shtetin Teksas, ishte sulmi më masiv vdekjeprurës në historinë e këtij shteti.

Agjencitë e lajmeve dhe rrjetet televizive, përfshirë Associated Press, CBS dhe CNN, duke i cituar zyrtarët e agjencive për zbatimin e ligjit, më vonë kanë raportuar se sulmuesi është identifikuar me emrin, Devin Patrick Kelley, 26 vjeçar.

Një zyrtar tha se ai jetonte në San Antonio dhe duket se nuk ishte i lidhur me ndonjë grup të organizuar terrorist.

Zyrtarët kanë thënë se 23 persona të vrarë ishin gjetur brenda kishës, dy jashtë saj dhe një person i plagosur ishte dërguar në spital, por më vonë kishte vdekur.

Sulmuesi më vonë ishte gjetur i vrarë në automobilin e tij nga plagët e pësuara, pasi ishte ndjekur nga pjesëtarët e agjencive të zbatimit të ligjit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë turneut të tij në Azi, e ka dënuar fuqishëm këtë sulm, duke e quajtur ‘të tmerrshëm’ dhe ‘akt djallëzor’.

COMMENTS