Rreth 6500 persona u prekën nga gripi për një javë

Rreth 6500 persona u prekën nga gripi për një javë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar intensitet të shtuar të rasteve të gripit sezonal.

Gjatë javës së pestë të vitit 2018, në Kosovë janë raportuar 6.451 raste të gripit (Incidenca=353,7 /100.000), që paraqet rritje prej 55.5% krahasuar me javën e kaluar, derisa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje të numrit të përgjithshëm të rasteve.

Nga 01 tetori deri më 02 shkurt, 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 31.383 raste të dyshimta në grip (ILI).

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 07 shkurt 2018 janë testuar gjithsej 322 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej tyre 165 ose 51 % kanë rezultuar pozitive në Influencë, prej të cilave 66 mostra janë pozitive në Influencën A (1 rast A(H1) dhe 99 në Influencën B (48 raste janë B subtipi Yamagata).

Në bazë të situatës aktuale Instituti Kombëtar konstaton se

Kemi të bëjmë me epidemi të gripit sezonal.

Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar mbeten në fuqi dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.

Ministrin e MASHT që të njoftojnë të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private) se të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja dhe simptoma të gripit (Temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut.

Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familiar për të parandaluar komplikimet.

Paraqitje e sëmundjes është e obliguar me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. 02-L-109 andaj të gjitha institucionet shëndetësore kanë obligim që ta paraqesin sëmundjen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Rekomandojmë Inspektoratin shëndetësor të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse.

Rekomandojmë Institucionet shëndetësore (veçanërisht SHSKUK):

• Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale)

• Përdorimi i mjeteve mbrojtëse për profesionistët shëndetësorë

• Dezinfektimi i të gjitha hapësirave të institucioneve shëndetësore (veçanërisht SHSKUK, repartet infektive, pediatrike dhe gjinekologjike).

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës po përcjellin me vëmendje shfaqjen e virusit H3N2 në hemisferën jugore (Australi) dhe po përhapet edhe në Europë, e që bënë pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm, por që mund të shkaktojë komplikime të rënda të sistemit respirator, sidomos te personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar nga sëmundjet kronike.

Shtetet të cilat kanë raportuar intenzitet të lartë me grip janë Italia, Bullgaria dhe Irlanda. Ndërsa shtete tjera kanë intenzitet mesatar (Anglia, Gjermania, Franca, Koracia, Sllovenia etj) dhe intenzitet të ulët në shtetet tjera.

Në Shqipëri gripi gjithashtu ka kaluar pragun epidemik dhe situata epidemiologjike është e njejtë edhe në shtetet fqinje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rritur vigjilencën dhe nuk ka vend për panik në popullatë sepse të gjitha rastet e rënda trajtohen me kujdes në SHSKUK. Situata epidemiologjike nuk varet nga shifrat por nga ashpërsia klinike e sëmundjes dhe nga numri i rasteve të rënda. Instituti Kombëtar dhe Institucionet shëndetësore janë të përgaditur për t’u përballur me raste të shtuara të gripit si sëmundje e paparashikueshme dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike qytetarët do të informohen me kohë, shkruan Kosovapress.

COMMENTS