Rrahet brutalisht Arbana Xharra, reagime të fuqishme në Kosovë

Anëtarja e re e Partisë Demoratike të Kosovës, Arbana Xharra, është rrahur me mjete të forta të shtunën në orët e hershme të mëngjesit nga persona tas

Anëtarja e re e Partisë Demoratike të Kosovës, Arbana Xharra, është rrahur me mjete të forta të shtunën në orët e hershme të mëngjesit nga persona tash për tash të panjohur.

Sulmi, njofton Policia e Kosovës, ka ndodhur në afërsi të banesës së saj pas orës 01.00 mesnatën ndërmjet së premtes dhe së shtunës dhe Xharra nga lëndimet trupore që ka marrë, është dërguar në spitalin e Prishtinës.

‘Sipas informacioneve fillestare dyshohet se viktima është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur deri më tani. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor në QKUK, të cilët kanë vlerësuar se gjendja e saj është stabile. Policia e Kosovës me zyrtarët e saj kompetent, është duke kryer hetime intensive me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes së personave të dyshuar përpara organeve të drejtësisë’, thuhet në një kumtesë të Policisë së Kosovës.

Gjendja e zonjës Xharra thuhet të jetë stabile, kanë njoftuar autoritetet spitalore.

Sulmin ndaj Arbana Xharrës ish kryeredaktores së gazetës ‘Zëri’ e ka dënuar presidenti Hashim Thaçi. Ai ka reaguar duke thënë se dhuna nuk bën të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, ndërsa ka kërkuar zbardhjen e rastit dhe dënimin e sulmuesve.

‘Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë. Me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike, mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë’.

Edhe kryeministri në largim, Isa Mustafa, këtë sulm e ka quajtur akt të ulët dhe të turpshëm.

‘Sulmi mbi Arbana Xharrën është akt i ulët dhe i turpshëm. Kryerësit duhet të sillen para drejtësisë’, ka thënë Mustafa.

Sulmin mbi Xharrën e ka dënuar po ashtu edhe ministri i Jashtëm në largim, Enver Hoxhaj i cili ka thënë se ‘është i tronditur nga ajo që mund t’i ndodhë një gruaje, një nëne dhe mbi të gjitha një aktivisteje të guximshme në tërë këto vite që nuk ka hezituar t’i thotë hapur dhe pa frikë gjërat të cilat i mendon’.

‘Kemi dështuar të tërë që nuk kemi mbrojtur një grua e cila i thotë mendimet ndryshe. Jo toleranca jonë ndaj njerëzve që nuk pajtohemi me ta po na shtyn drejt këtyre ngjarjeve të papranueshme. Mjaft më! Të bashkëndjejmë të gjithë. Ta dënojmë të gjithë! Sulmuesit para drejtësisë’, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin e tij social facebook.

Arbana Xharra është laureate e Çmimit Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga sekretari Amerikan i Shtetit, dhe një prej zërave kritikë në shoqërinë e Kosovës.

Ajo la gazetarinë dhe iu bashkua jo më shumë se një javë Partisë Demokratike të Kosovës, hap ky që nxiti një debat kryesisht në rrjetet sociale.

Xharra ishte e kërcënuar edhe herave të tjera për shkak të qëndrimit të saj ndaj dukurive në shoqërinë e Kosovës, dhe Policia në disa raste ka hapur hetime për kërcënimet ndaj saj.

Sulmi i të shtunës është dënuar përgjithësisht edhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile.

COMMENTS