Rama: Të heqim muret ndarëse – të unifikojmë Ambasadat me Kosovën

Rama: Të heqim muret ndarëse – të unifikojmë Ambasadat me Kosovën

Ekuipazhi ruso-amerikan arriti në Stacionin Ndërkombëtar të Gjithësisë
Lind vajzën gruaja e Astrit Deharit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në një konferencë të përbashkët për media, kanë thënë se mbledhja e përbashkët e qeverisë Shqipëri- Kosovë do të zhvillohet 27 nëntor – 28 nëntor.

Rama tha se në mbledhjen e përbashkët të Qeverive, fokus kryesor do të jetë heqja e kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

‘Kontrollet do të jenë aq të rralla sa që shumëkujt mund t’i bie që të mos ketë fare kontrolle, siç ndodh në kufijtë e BE-së. Diplomat e studentëve, puna e të rinjve janë vështirësi evidente për të rinjtë në të dy anët e bjeshkëve shqiptare’, tha Rama.

‘Kemi një dakordësi të plotë që unifikimi i tregut tonë duhet t’i prijë si model unifikimit të tregut rajonal dhe në kundërshtim të hapur me të gjitha teoritë e konspiracionit për zonën ekonomike rajonale, dua të nënvizoj se Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë që të jenë modele që i paraprijnë shembullit të vet në krijimin e zonës ekonomike rajonale’, tha Rama.

‘Porti i Durrësit nuk është vetëm i Shqipërisë zyrtare, por edhe i shqiptarëve të Kosovës, është porti që duhet të kthehet në Doganën e njehsuar të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e padrejtë, e pandershme dhe e paarsyeshme që sipërmarrjet shqiptare që çojnë mall në Kosovë përmes portit të Durrësit kontrollohen dy herë. Këtë kemi rënë dakord ta finalizojmë në mbledhjen e 27 nëntorit’, theksoi kreu i Qeverisë shqiptare.

‘Shqipëria dhe Kosova duhet të përfitojnë së bashku nga mundësitë e ofruara përmes procesit të Berlinit dhe nga Fondi IPA. Përmes koordinatorëve tanë kombëtarë në Procesin e Berlinit, të mund të jemi përsëri shembullorë në përfitimet nga ky Proces, jo thjesht si shtete, por si shtete të interesuara për të punuar së bashkua strategjikisht. Jemi dakorduar që t’i japim fund shpenzimeve të paarsyeshme për të mbajtur seli përfaqësuese, konsullore veç-e-veç’, shtoi shefi i ekzekutivit shqiptar.

Ai tha se diplomacia shqiptare do të jetë garant për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

‘Shqipëria e ka mbështetur dhe e mbështet me të gjithë fuqinë e vet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke qenë qartësisht në anën e Kosovës, në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje realiste dhe të një çlirimi përfundimtar të vetë Serbisë nga makthi i të shkuarës që e mban peng Serbinë në radhë të parë, dhe që e pengon njohjen e Kosovës nga vetë Serbia. Ndajmë shqetësimin tonë për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, proces i cili po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila ka qenë dhe mbetet garanti kryesor i Kosovës. Kosova s’ka llogari të humb miq’, deklaroi kryeministri Rama.

COMMENTS