Qeveria procedon demarkacionin nëse i mbijeton mocionit

Qeveria procedon demarkacionin nëse i mbijeton mocionit

Oferta e Kadri Veselit
Hoxhaj: Kryeparlamentari votohet të enjten, Veseli kandidat i vetëm

Në një komunikatë për media, thuhet se pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën.

‘Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës’, theksohet në komunikatë.

Marrëveshja është vendosur të dërgohet për ratifikim në Kuvend, në javën kur ligjvënësit pritet të votojnë mocionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Kjo marrëveshje po kundërshtohet ashpër nga opozita si dhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet, me pretendimet se nëse ratifikohet si e tillë, përmes saj Kosova do të humbte mbi 8 mijë hektarë tokë.

Gjendja e krijuar me demarkacionin, por edhe në raportet mes partnerëve të koalicionit, është shqyrtuar në një takim të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi tha se çështja e demarkacionit do të paraqitet në qeveri dhe kuvend pas të mërkurës, më 10 maj, kur do të votohet për mocionin e opozitës.

‘Besojmë që mocioni nuk kalon dhe është me rëndësi që më pas të ratifikohet demarkacioni dhe të bëhet liberalizimi i vizave, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm brenda 90 ditëve’, ka thënë Abrashi.

Një tentativë paraprake për ratifikimin e kësaj marrëveshje ishte shënuar edhe më 1 shtator të vitit të kaluar. Por, atë ditë, koalicioni nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim, ndërkohë që edhe gjendja e sigurisë qe përkeqësuar, çka e kishte detyruar kryeministrin Isa Mustafa ta tërhiqte ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi.

Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa qeveria po përgatitet të procedojë për herë të dytë demarkacionin në Kuvend, opozita ka deponuar të premten një mocion me nënshkrimet e 42 deputetëve, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë tjera, përfshirë edhe ato në pushtet për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Mocioni për rrëzimin e qeverisë është caktuar të votohet më 10 maj.

COMMENTS