Qeveria e re e Maqedonisë varet nga votat e BDI-së

Qeveria e re e Maqedonisë varet nga votat e BDI-së

Shkup: Sonte zhvillohet ndeshja Real Madrid – Manchester United
Trump, në takim me Merkelin, thekson mbështetjen për NATO-n

Në Maqedoni, Lidhja Social Demokrate pret të marrë mandatin për formimin e qeverisë, pasi Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE-së nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë.

Por presidenti i vendit tani kërkon nga partia ose koalicioni të sigurojë miratimin nga 61 ligjvënës, shumica e thjeshtë e parlamentit. Tani gjithçka varet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, pa votat e të cilit nuk mund të bëhet kabineti qeveritar.

Ndërkaq, partitë e tjera shqiptare bien dakord të japin nënshkrimet në mënyrë që Lidhja Social Demokrate të marrë mandatin për formimin e qeverisë, por që bisedimet të vazhdojnë ndërkohë, .

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e cila pret të marrë mandatin për fomimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, shpreson se do të arrijë të sigurojë votat e nevojshme për t’ia arritur qëllimit.

Por partia nuk jep hollësi në lidhje me përpjekjet që po bën për këtë; As Bashkimi Demokratik për Integrim nuk tregon nëse po komunikon me Lidhjen Social Demokrate, ndërkohë që thotë se pa një marrëveshje për formimin e qeverisë, nuk do të deponojë nënshkrimet e deputeëve të saj që LSDM të marrë mandatin nga presidenti i vendit.

Petre Shilegov, zëdhënës dhe deputet i Lidhjes Social Demokrate thotë se partia kërkon durim brenda këtyre ditëve, duke lutur opinionin publik ta ketë parasysh ndjeshmërinë e gjendjes.

“LSDM është e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe të efektshme për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë”, thotë zëdhënësi. Sipas tij, në zgjedhjet e dhjetorit qytetarët votuan njerëzit të cilët do t’i sjellin ndryshimet dhe reformat e kërkuara dhe se një qeveri e tillë do të bëhet.

Komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron që në mënyrë publike të prononcohet në hollësi mbi problemin e formimit të kabinetit qeveritar në Shkup, ndërsa ambasadori evropian Samuel Zhbogar, i cili ishte për vizitë në zyrën e presidentit Gjorgje Ivanov, një ditë pasi i mandatuari Nikolla Gruevski nuk arriti ta formojë kabinetin, thotë se kjo është gjendje normale në një demokraci.

“Ne, thotë ambasadori, po vëzhgojmë gjithçka dhe dimë se të gjitha palët zotohen për axhendën evropiane dhe besojmë se nuk do të jetë vështirë të arrihen 61, madje edhe më shumë nënshkrime për koalicionin e reformave. Ky është një koalicion që i nevojitet vendit”, thotë përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Shkup.

Ndërkaq, presidenti maqedonas Ivanov, sipas ekspertëve ligjorë, ka tejkaluar kompetencat duke i kërkuarit pretendentit të ardhshëm për formimin e qeverisë që përveç se të sigurojë 61 nënshkrime deputetësh, të paraqesë edhe një angazhim apo program qeveritar me të cilin do të zotohej për disa aspekte, si në fushën e sigurisë edhe atë të ekonomisë.

Ekspertët thonë se programi paraqitet në parlament para se të votohet i mandatuari, por jo dhe presidentit të vendit. Një pjesë e analistëve dhe ekspertëve ligjorë vlerësojnë se kushtetuta e Maqedonisë ka mjaft boshllëqe dhe se asaj i duhet bërë ndryshime.

Por, ndryshimi i kushtetutës në Maqedoni, nga një pjesë e partive politike dhe analistëve të tjerë të afërt me pushtetin, shikohet si fillim i rrënimit të rendit kushtetues dhe i të ardhmes së vendit.

COMMENTS