Qeveri me ‘plot’ ministri

Qeveri me ‘plot’ ministri

Dhjetë marinarë amerikanë të zhdukur
Rrogat e 5 liderëve politikë më të mëdhenj në botë – Ja shifrat!

Kosova vazhdon të ketë edhe një Qeveri me shumë ministri, duke i lënë pas për kah numri, edhe vendet e mëdha evropiane, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas tyre, ky numër i kabinetit konsiderohet luks i panevojshëm, që si pasojë ka shpenzime të mëdha nga buxheti i varfër i vendit.

Kabineti qeveritar deri më tani përbëhet nga Ramush Haradinaj kryeministër, pesë zëvendëskryeministra dhe 21 ministra, të cilët i kanë edhe zëvendësit e tyre.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, ky numër i kabinetit qeveritar është krijuar për shkak të përmbushjes së kërkesave të partive të shumta që ka koalicioni aktual.

Artan Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet ‘Çohu’, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha partitë politike të koalicionit aktual qeveritar, gjatë fushatës zgjedhore kanë premtuar reduktimin e ministrive. Ndërkohë që me formimin e Qeverisë, ka ndodhur e kundërta.

‘Jo vetëm që nuk ndodhi me shkurtimin e këtij kabineti, por në një mënyrë, pati rritje të kabinetit, sepse një ministri që ka ekzistuar është ndarë në dy ministri. Pastaj është krijuar një ministri e re. Tashmë kemi më shumë ministra se sa në qeverinë e kaluar. Dhe, normalisht se kjo e ngarkon tej mase dhe pa nevojë buxhetin e Kosovës’, shprehet Demhasaj.

Ekzistimi i këtij numri të madh të ministrive me të njëjëtat përgjegjësi ka bërë që edhe buxheti i shtetit të ngarkohet dhe të shpenzohen miliona euro duke paguar staf për secilin ministër, zëvendësministër dhe zëvendëskryeministër, thonë përfaqësues të Lëvizjes ‘Fol’.

Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në këtë Lëvizje, tha për Radion Evropa e Lirë se derisa nuk ka një parti apo koalicion që fiton shumicën e votave, vazhdimisht do të përsëritet praktika e kabinetit të stërmadhuar qeveritar.

‘Kjo traditë e madhësisë së kabinetit do të na përcjellë. Nuk ka dyshim se është joproporcional me numrin e banorëve. Nuk ka dyshim se është ngarkesë për buxhetin dhe kemi komplet dikastere të panevojshme që janë shpikur vetëm për të rehatuar njerëz nëpër pozita’, tha Zulfaj.

Një premtim për të zvogëluar numrin e ministrive, vetëm 10 ditë para se të formohej Qeveria, e kishte shprehur edhe Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme.

Në një postim në llogarinë e tij private në Facebook, kishte shkruar se Kosova mund të menaxhohet me vetëm tetë departamente.

Në anën tjetër, Artan Demhasaj konsideron se bashkimi i disa ministrive do të rriste efikasitetin, meqë nuk do të shpërndahej puna e njëjtë tek ministritë e ndryshme.

Ai mendon se Qeveria e Kosovës do të mund të funksiononte me vetëm 16 ministri.

‘Përderisa kemi disa ministri që në mënyrë direkte apo indirekte merrem me çështje të njëjta, atëherë kjo mund të jetë një konflikt i kompetencave’ ka thënë Demhasaj.

Edhe në vitin 2011, Qeveria e atëhershme kishte krijuar ministri të reja apo i kishte ndarë në dysh disa ministri nga përbërja paraprake qeveritare.

Kabineti i kaluar qeveritar përbëhej nga 19 ministri, 2 ministri pa portofol, 3 zëvendëskryeministra dhe rreth 50 zëvendësministra.

Sipas formularëve tëDeklarimit të Pasurisë të zyrtarëve qeveritar në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, paga mujore e kryeministrit arrin në mbi 1400 euro, rreth 1400 është paga edhe e zëvendës kryeministrit kurse e një ministri rreth 1200 euro, pa përfshirë benificionet tjera.

COMMENTS