Pse po mbahen fshehtë ndërtuesit e autostradës Prishtinë–Gjilan?

Pse po mbahen fshehtë ndërtuesit e autostradës Prishtinë–Gjilan?

Ministria e Infrastrukturës nuk po tregon emrat e kompanive të cilat do të ndërtojnë autostradën ‘Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë’, punimet në të cilën kanë nisur ceremonialisht të dielën e javës që shkoi.

Përkundër se Gazeta Express ka kërkuar informacione nga zyra për informim e Ministrisë së Pal Lekajt, këshilltari i tij nuk ka dhënë emrat e kompanive ndërtuese të autostradës, një segment i të cilës, buxhetit të shtetit do t’i kushtojë rreth 88 milion euro.

Argjend Zejnaj vetëm ka treguar se Ministria e Infrastrukturës ka kontraktuar 8 operatorë ekonomik, për të ndërtuar segmentin e parë nga Banulla deri në Bresalc, i gjatë rreth 23 kilometra.

‘Kompanitë të cilat janë duke punuar në Autoudhën ‘Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë’ janë gjithsej tetë operator që janë përzgjedhur sipas procedurave të prokurimit, bazuar në Ligjin për Prokurim Publik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Zejnaj, shef i kabinetit të ministrit Pal Lekaj.

Përveç emrave të kompanive të tenderuara që do të ndërtojnë segmentin 88 milionësh – deri në hyrje të Gjilanit, të autostradës që parashihet të vazhdojë deri në kufirin e Kosovës me Serbinë tek Dheu i Bardhë – deri më sot e pazbuluar mbetet edhe kontrata për dhënie të këtij tenderi.

Të paktën ajo deri më sot nuk është publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik, siç ka ndodhur me kontratat tjera tenderuese të kësaj ministrie, sikurse çdo tender tjetër që publikohet nga institucionet publike në vend.

Kontrata në fjalë ishte nënshkruar në shkurt të këtij viti nga Ministri Pal Lekaj, derisa tenderi ishte shpallur në pjesën e fundit të vitit të shkuar, derisa përzgjedhja e kompanive është bërë në nëntor të 2017.

Nga ana tjetër, 23 kilometrat e këtij segmenti, të parapara për tu ndërtuar me katër shirita dhe me të gjitha standardet e nevojshme, sipas këshilltari të MI’së, parashihen të përfundojnë pas dy vitesh.

‘Ky segment deri në Bresalc të Gjilanit sipas kushteve të kontratës parashihet të përfundojë në vitin 2020, nëse çdo gjë shkon sipas dinamikës së paraparë dhe ne do të jemi monitorues të rreptë që afati i paraparë në kontrata të respektohet me përpikmëri’, tha Argjend Zejnaj, për Gazetën Express.

Buxhetit të shtetit ky segment i autoudhës, ‘Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë’ do t’i kushtojë rreth 88 milionë euro, por, sipas zyrtarit të MI’së ‘ndarjet buxhetore varijojnë sipas kushteve të trases, disa lote janë më të kushtueshme disa të tjera janë më pak të kushtueshme’.

Ceremonia e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës kësaj autostrade, Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, është mbajtur të dielën që lamë pas.

COMMENTS