Profilizmi i mësimdhënësve rrit rezultatin në arsim

Profilizmi i mësimdhënësve rrit rezultatin në arsim

Përgatitjet për profilizimin e mësimdhënësve të ciklit të ultë nga ana e Ministrisë së Arsimit, janë duke vazhduar. Zyrtarë të kësaj ministrie e ko

Përgatitjet për profilizimin e mësimdhënësve të ciklit të ultë nga ana e Ministrisë së Arsimit, janë duke vazhduar.

Zyrtarë të kësaj ministrie e konsiderojnë të nevojshëm procesin e profilizimit, për arsye se do të rritet llogaridhënia dhe do të ketë rezultate me të mëdha edhe në suksesin e nxënësve. Ndërkaq, Sindikata e Arsimit vlerëson se në këtë fazë më i nevojshëm do të ishte profilizimi i mësimdhënësve lëndorë.

Këshilltari i ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arben Dermaku, tha për Radio Kosovën se ka nevojë për profilizimin e mësimdhënësve, sepse nxënësit prej klasës se parë deri në të pestën po marrin nota që në të shumtën e rasteve nuk janë të bazuara në dije. Profilizimi do të rritë transparencën dhe llogaridhënien nga ana e mësimdhënësve, theksoi, Dermaku.

‘Ka nevojë për profilizim, për faktin se nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën po marrin nota të cilat nuk janë të bazuara në dije. Kështu që po ndodh një neglizhencë e mësimdhënësve në të nxënë të fëmijëve. Profilizimi do të rritë llogaridhënien transparencën, dhe do të rritë nivelin e rezultateve reale’, tha Dermaku.

Dermaku, po ashtu theksoi se me profilizim do t’u lehtësohet puna mësimdhënësve, ngase nuk do të kenë nevojë që për çdo vit të përgatiten për klasën në vazhdim. Sipas tij, me këtë do të rritet roli i mësimdhënësit në procesin arsimor dhe edukativ.

‘Mësimdhënësit do ta kenë me lehtë, sepse nuk do të kenë nevojë të përgatiten çdo vit për klasë të reja, por do ta kenë një sfidë, avancimin e mësimdhënies në klasat përkatëse ku ata japin mësim. Ideja është që mësuesi të jetë mësues kurse prindi të jetë prind. Ne e dimë së kemi një problematikë në Kosovë, ku rolin e mësuesit e kanë marrë prindërit dhe rolin e prindit e kanë marrë mësuesit’, shtoi Dermaku

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën se do të ishte më mirë që mësimdhënësit të kenë profilizim lëndor e jo klasor, pasi ai nuk e konsideron si shumë të suksesshëm këtë lloj profilizimi.

‘Që të kemi një mësues vetëm të klasës së parë e një për klasën e dytë, nuk besoj se ka sukses, ngase nxënësi i klasës së parë ndihet keq kur i ndërrohet mësuesi. Arritjet do të ishin tepër të vogla. Nëse duhet ta bëjmë këtë, le ta bëjmë me profilizim të mësimdhënësve për një lëndë, sepse mësimdhënësi me vetëdije do ta zgjedhë lëndën ku do të kontribuojë më shumë’, tha Jasharaj.

Debati për profilizimin e mësimdhënësve ka filluar vitin e kaluar dhe përfundimisht është vlerësuar si një proces i nevojshëm për ngritjen e cilësisë në arsim.

COMMENTS