Pritje madhështore në aeroportin ‘Adem Jashari’ për Erzen Rrustemin, kampionin e botës në boks (Foto)

Pritje madhështore në aeroportin ‘Adem Jashari’ për Erzen Rrustemin, kampionin e botës në boks (Foto)

Nesër dalin në shitje biletat e ndeshjes Kosovë – Islandë, ja ku mund t’i bleni
Zyrtare: Mavraj transferohet në Hamburg

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kampioni i botës në boks, në versionin WBF, Erzen Rrustemi, është pritur në mënyrë madhështore në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”. I impresionuar me mikpritjen, kampioni i botës, në konferencën për gazetarë, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, përderisa dëgjohej kori i qindra gjilanasve, të cilët brohorisnin njëzëri “Mirë se vjen kampion”.

“E falënderoj kryetarin Haziri për këtë pritje madhështore në aeroportin “Adem Jashari”, e cila më mbushë me plot emocione dhe krenari. E di që ju kam gëzuar me suksesin e fundit, ku u shpalla kampion bote në versionin WBF dhe unë jam shumë i lumtur për këtë. Kjo pritje dhe mbështetje e manifestuar gjatë gjithë kohës, prej që jam në boksin profesionist, më motivon dhe më obligon për të punuar edhe më shumë që të sjellë edhe tituj të tjerë”, kanë qenë fjalët e Rrustemit, në konferencën me gazetarë.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi e uroi për titullin e kampionit të botës, tha se kjo pritje për Erzenin është një detyrë e vogël e Komunës së Gjilanit.

Me këtë rast, kreu i Gjilanit e ka falënderuar familjen Rrustemi dhe babain e tij, Halitin, për motivimin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Erzenit.

“Erzenin, jo rastësisht e kemi shpallur vitin e kaluar “Nderi i Qytetit” për shkak të rezultateve që i ka arritur në sportin ndërkombëtar. Sjellja e titullit kampion bote na bënë nderë neve gjilanasve, Kosovës dhe mbarë shqiptarëve kudo që janë sepse Erzeni nën flamurin kuq e zi ka garuar. Për ne është një detyrë e vogël që t’i bëjmë një pritje të kampionit dhe natyrisht ky është vetëm suksesi i parë nga i cili ne presim shumë. Faleminderit Erzen. Urime”, tha Haziri.

Një fjalë përshëndetëse pati edhe Nexhmedin Zeka, sekretar i Federatës së Boksit të Kosovës, i cili tha se Erzeni, me këtë sukses, i ka bërë krenarë të gjithë.

Ndërkohë, sonte Komuna e Gjilanit organizon koncert madhështor në sheshin “Agim Ramadani”, me fillim në ora 20:00.

COMMENTS