‘Prishja e raporteve me Tiranën, vetëvrasje politike dhe ekonomike e Shkupit’

‘Prishja e raporteve me Tiranën, vetëvrasje politike dhe ekonomike e Shkupit’

Premtuan ‘përralla’, partitë politike humbin besimin
Nis debati i madh në Serbi: Çfarë të bëhet me Kosovën? (Foto)

Maqedonia ka prishur marrëdhëniet pothuajse me të gjitha shtete e Ballkanit Perëndimor, me Bullgarinë në luftën për krijimin e identitetit kombëtar, pastaj me Serbinë në çështjen e ndarjes së Kishës Ortodokse dhe më pas me Greqinë për sa i përket problemit me emrin, i cili problem ka qenë një ndër faktorët më të mëdhenj që Maqedonia ngeci në rrugën e integrimeve evropiane. Por, “dukshëm” mund të themi se Maqedonia marrëdhënie të mira deri më sot ka pasur vetëm me Shqipërinë dhe Kosovën (pasi që kjo e fundit u bë shtet), mirëpo, me ardhjen në skenë të Platformës Shqiptare, për përpilimin e së cilës VMRO-DPMNE e fajëson kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Nikolla Gruevski i acaroi marrëdhëniet edhe me Shqipërinë.

Sipas njohësve të çështjeve historike, politike dhe diplomatike Salajdin Salihu dhe Visar Ademi, përpjekja e Maqedonisë për prishjen e marrëdhënies me Shqipërinë, paraqet fytyrën reale të marrëdhënieve të Maqedonisë me Shqipërinë dhe, nëse deri sot këto marrëdhënie kanë qenë në nivelin e dëshirueshëm, është rezultat i qëndrimit të mirë që Shqipëria ka pasur ndaj Maqedonisë si pasqyrim i respektimit të shumicës së popullatës, shqiptarëve dhe se kjo për Maqedoninë do të ishte vetëvrasje si në aspekt politik por edhe ekonomik.

“Shqipëria e kompromisit e ka detyrim kushtetutar të interesohet për shqiptarët kudo ku jetojnë dhe këtë të drejtë nuk mund t’ia cenojë Maqedonia. Politika maqedonase, e kompleksuar skajshmërish, e sheh Shqipërinë nëpërmjet dioptrisë së diplomacisë serbe. Politika maqedonase në vend se të ishte mirënjohëse, ajo është mosmirënjohëse për qëndrimin që ka mbajtur Shqipëria në raport me Maqedoninë, madje, shpesh herë, tepër të gabuar dhe anashkalues ndaj kërkesave të vetë shqiptarëve. Mjerisht në politikën e jashtme të Maqedonisë ka doza të mëdha albanofobie”, tha Salajdin Salihu.

Ai shtoi se “për Maqedoninë është vetëvrasje cenimi i raporteve me Shqipërinë, sa për shkak të shqiptarëve të Maqedonisë, po aq edhe për rolin e Shqipërisë në proceset rajonale, si një anëtare e NATO-s”.

Nga ana tjetër, analisti politik dhe njohësi i diplomacisë, Visar Ademi, raportin e acaruar të Maqedonisë dhe Shqipërisë e sheh si rezultat të humbjes së interesit ekonomik. Edhe ai konsideron se, nëse deri sot Maqedonia ka pasur marrëdhënie të mira me Shqipërinë, kjo ka qenë si rezultat i qëndrimit pozitiv që Shqipëria ka pasur ndaj Maqedonisë.

“Nëse deri më sot Maqedonia ka pasur marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe Kosovën kjo ka qenë më shumë nga interesi ekonomik që Maqedonia ka pasur nga këto shtetet. Por e dimë së prishja e tregtisë me Kosovën duhet të jetë edhe një element se për Maqedoninë më e rëndësishme është përfitimi ekonomik sesa ai politik. Me vite Maqedonia është tentuar të fshehë urrejtjen patologjike që e ka pasur me Shqipërinë dhe Kosovën, por që kohës së fundit ajo urrejtje ka kaluar edhe në rrafsh institucional, e që kjo ka bërë që të jetë e dukshme edhe qëndrimi negativ që Maqedonia e ka me këto shtete shqiptare”, tha Visar Ademi.

Përndryshe, që me përpilimin e Platformës Shqiptare, e cila erdhi si rezultat i programeve partiake të partive politike shqiptare, Nikolla Gruevski vazhdon të akuzojë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë së ai përpiloi atë dhe se nëpërmjet saj tenton të ndërhyjë në punët e brendshme të Maqedonisë, transmeton portalb.

Po për të njëjtën Platfromë dhe arsye, edhe presidenti i Maqedonisë dhe bashkëpartiaku i Gruevskit, Gjorge Ivanov, refuzoi t’ia japë mandatin kreut të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, me arsyen se ky i fundit nëpërmjet kësaj Platforme dhe njohjes së gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare e çon Maqedoninë drejt federalizimit, respektivisht prishjes së karalterit të saj unitar mkushtetues.

Edi Rama dhe partitë nënshkruese të kësaj Platformë në vazhdimësi kanë sqaruar se Platforma është hartuar në Shkup, kurse kryeministri i Shqipërisë ka lehtësuar komunikimin.

Edhe në komunkatën e fundit të VMRO-DPMNE-së, të publikuar sot, si dhe në të gjitha të tjerat që po nxirren çdo ditë nga qendra e komunikimit e VMRO-së, sërish akuzohet Edi Rama dhe dërgohet mesazhi se “qytetarët e Maqedonisë nuk do të lejojnë që shtetin e tyre ta udhëheqë Tirana”.

COMMENTS