Presidenti Thaçi fali vrasësin e babait të saj: Ky është rrëfimi i Arbenita Arifit

Presidenti Thaçi fali vrasësin e babait të saj: Ky është rrëfimi i Arbenita Arifit

Arbenita Arifi kishte mbetur pa baba kur Ruzhdi Misini e kishte vrarë Agron Mustaën më 11 tetor 2002. Tmerri i Arbenitës dhe familjes nuk përfundoi me kaq. Ata u tmerruan sërish kur Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, vendosi këtë të mërkurë t’ia falë dy vite burg vrasësit të babait të saj.

Arbenita Arifi, vajza e të ndjerit Agron Mustafa, i cili ishte vrarë nga Ruzhdi Misini 16 vite më parë, ka treguar për Gazeta Blic tmerrin që ka përjetuar familja e saj në natën e mbrëmshme me vendimin e Presidentit për t’i falur vrasësit të babait të saj 2 vite burg nga dënimi prej 13 vitesh e gjysmë.

24 vjeçarja ka thënë se ajo dhe familja e saj nuk ka qenë në dijeni se Presidenti i vendit në mesin e 14 personave ka vendosur ta falë edhe Ruzhdi Misinin.

‘Jo hiç nuk kemi qenë në dijeni. Mbrëmë me 11 prill e kemi kuptuar se në listën e të falurve është edhe vrasësi i babait tonë, faktikisht vëllai mbrëmë e ka parë lajmin në Facebook dhe ai moment ka qenë i njëjti sikurse jemi ndjerë ne kur ai është dënuar, bile edhe më keq, sepse ai nuk është dënuar me dënimin e merituar’, është shprehur vajza e të ndjerit.

Arifi ka treguar që familja kishte bërë ankesë përmes së cilës kishte kërkuar zgjatjen e dënimit për dorasin, para se të falej nga Presidenti. Por, një gjë e tillë u refuzua nga organet e drejtësisë. Ajo e cilëson të padrejtë dhe johuman vendimin e Presidentit.

‘Ne kur e kemi bërë ankesën për me ia shtu dënimin, ata nuk e kanë pranu tash me u çu me i’a falë kur ai as nuk është dënu siç duhet për gjithë ato vepra, tash me u çue ky (Presidenti) me i’a falë, shumë e palogjikshme, shumë, shumë, shumë’, ka thënë Arifi.
Ajo ka thënë që familja nuk do të pajtohet me vendimin dhe ka adresuar parregullsitë gjatë procesit ku ishte dënuar Misini.

‘Edhe pse jemi shumë të zhgënjyer me drejtësinë në Kosovë tej mase, por, prapë ne duhet me vazhdu sipas ligjit. Kemi me bo ankesë që nuk bën kështu duhet me i mendu disa gjëra në mënyrë më njerëzore’, ka deklaruar ajo.

‘Kjo ngjarje qysh nga fillimi nuk ka shkuar mbarë, sepse pesë herë janë ndërruar gjyqtarët. Ai i ka pasur dy avokatë, të gjitha dhe, prapë, i’a kanë arritur qëllimit dhe nuk janë ndalë. Kështu që, as ne nuk kemi me u ndalë’, tha ajo. Arifi ka kritikuar Presidentin për vendimin e marrë.

Një gjë tjetër që po e shqetëson Arbenitën janë edhe provokimet që po bëjnë familjarët e Ruzhdi Misinit asaj dhe familjes së saj. Presidenti Thaçi dekretoi dje faljen e 14 personave.

‘Ruzhdi (Murat) Misini, i lindur në Dragash, më 29.05.1958 , i falen dy vite’, thuhet në dekretin e publikuar më 10 prill nga presidenca.

COMMENTS