Presidenti Thaçi e cakton seancën konstituive të Kuvendit më 3 gusht

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës më 3 gusht, në orën 10:00. Kryet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës më 3 gusht, në orën 10:00.

Kryetarin dhe Kryesinë e Legjislaturës së Pestë të Kuvendit të Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, presidenti Thaçi i ka udhëzuar që të përgatisin edhe propozimin e rendit të ditës, thuhet në një njoftim për media të Presidencës.

‘Këtë vendim, i cili ka hyrë në fuqi sot, presidenti Thaçi e ka marrë duke u bazuar në nenin 66 (paragrafi 3) dhe nenin 84 (pika 3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, si dhe duke marrë parasysh vendimin e datës 8 korrik 2017, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të 11 qershorit 2017’, thuhet në njoftim.

Më herët gjatë ditës, Thaçi takoi përfaqësuesit e subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ftesës për takim konsultativ iu përgjigj vetëm koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, si dhe përfaqësuesit e subjekteve që përfaqësojnë pakicat joserbe.

Ndërkaq, pjesëmarrjen në këtë takim e refuzuan subjektet politike të radhitura pas koalicionit PAN, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, por edhe Lista Serbe. Përfaqësuesit e këtyre subjekteve nuk kanë pranuar që të marrin pjesë në këtë takim.

Presidenti Thaçi, pasi që ka dëgjuar përfaqësuesit e partive politike pjesëmarrëse në takim, ka theksuar se shumë shpejt do ta caktojë datën për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

‘Ju njoftoj, se në përputhje me kompetencat e mia si President i vendit, shumë shpejt do ta shpalli datën e mbajtjes së seancës së parë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo do të ndodhë në konsultim të ngushtë me Sekretarinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që gjithçka të jetë në përputhje me afatet kohore dhe me Kushtetutën dhe ligjet’, ka thënë presidentit Thaçi.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës që është pjesë e koalicionit PAN, Enver Hoxhaj, ka thënë se formimi i Kuvendit dhe i Qeverisë është domosdoshmëri e ngutshme, për shkak se vendi ka nevojë për vendimmarrje të fuqishme dhe reforma të brendshme.

‘Partnerët e koalicionit, PDK, AAK dhe Nisma, mendojnë që në një afat të caktuar ligjor, në një hapësirë kohore kur ju President mendoni dhe sekretaria e Kuvendit mendon se mund të ndodhë organizimi i seancës, do të duhet të ndodhë sa më parë. Ne mendojmë se i kemi numrat e nevojshëm si shumicë parlamentare që ta bëjmë hapin e parë të konstituimit të Kuvendit dhe mandej, në të njëjtën kohë edhe për formimin e Qeverisë’, ka thënë Hoxhaj.

Vetëvendosje, LDK, AKR dhe Lista Serbe nuk morrën pjesë në takimin e thirrur nga president Thaçi
Vetëvendosje, LDK, AKR dhe Lista Serbe nuk morrën pjesë në takimin e thirrur nga president Thaçi
Ditën e premte, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë quajtur të panevojshëm takimin e ftuar nga presidenti Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt politik i dytë më i madh për kah numri i votave në Kuvendin e Kosovës, përmes rrjetit social Feacebook ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e presidentit Thaçi.

‘Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t’i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar lidhur me ditën dhe datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe ne nuk kemi asnjë obligim ligjor që të shkojmë në këtë takim’, thuhet në deklaratën e Lëvizje Vetëvendosje.

Ngjashëm, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka paralajmëruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

‘Si lider i LDK-së nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre’, ka thënë Mustafa.

Ditën e diel edhe Lista Serbe ka paralajmëruar se nuk do të jetë pjesë e takimit konsultativ të ftuar nga presidenti Thaçi.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se do t’i përgjigjet vetëm ftesës për verifikimin e mandateve, në përputhje me ligjin, por ‘nuk dëshiron që populli serb të gjendet ndërmjet dy përplasjeve.

Rakiq ka thënë se pasi që të dihet emri i mandatarit për formimin e qeverisë ‘do të bëj konsultime me Beogradin dhe do të sjell vendimin për ndonjë koalicion eventual’.

Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës, hapë rrugën që Presidenti i vendit t’i jap mandatin njërit prej kandidatëve të propozuar për kryeministër që ta krijojë Qeverinë e re dhe në këtë rast, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, kandidatit të koalicionit PAN-it, Ramush Haradinaj. Për formimin e Qeverisë së re, nevojiten së paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili i ka 120 ulëse.

COMMENTS