Pozita: Asociacioni dhe Demarkacioni duhet të kryhen, Opozita: Nuk do të bëhet asnjëra

Pozita: Asociacioni dhe Demarkacioni duhet të kryhen, Opozita: Nuk do të bëhet asnjëra

Besimtarët myslimanë në Shqipëri falin Namazi në sheshin ‘Skënderbej’
Britaniku që luftoi përkrah UÇK-së për Kosovën, tash ka nevojë për ndihmën tonë!

Pozita e opozita ende vazhdojnë t’i kenë qëndrimet e kundërta rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Pushteti vazhdon ta fajësojë opozitën për mos kryerjen e këtyre dy proceseve, derisa opozita thotë se nuk do të lejojnë jetësimin e asnjërës.

Madje, Asociacioni dhe Demarkacioni mund të mos përfundojnë këtë vit, e ndoshta as nga kjo legjislaturë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli thotë se çështja e Demarkacionit dhe Asociacionit, është shumë me rëndësi për vetë Kosovën dhe qytetarët e saj.

Sipas tij, nuk duhet t’iu japin argumente vendeve të cilat nuk e njohin Kosovën, ose vendet që kanë skepticizëm ndaj Kosovës që të mos i kryejnë obligimet e tyre si shtet.

Veseli: Mos ratifikimi i Demarkacionit po u kushton qytetarëve

“Shteti ynë është shumë funksional, ka mundësi të marr vendimmarrje dhe do t’i marr obligimet e veta që ka si shtet i pavarur. Keni parasysh Demarkacioni është duke na dëmtuar që nuk e kemi përfunduar deri tash, me së shumti qytetarët e Kosovës. Ndoshta është bërë një favor i mirë për ta mbajtur Kosovën një qosh për mos të marr vendimmarrje dhe ta mbaj Kosovën të izoluar pikërisht për ato vende të cilat brenda BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Ndërsa, Asociacioni do të kryhet vetëm sipas Kushtetutës së vendit”, tha Veseli.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thekson se Asociacioni duhet të formohet, porse kjo duhet të bëhet konform Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Beqiri ka disa fjalë edhe për deputetët, siç i quan ai, me korrespodencë dhe që kanë nga dy- tre pasaporta.

Beqiri: Ata që kanë dy- tri pasaporta s’mund të na mbajnë ligjërata

“Sa i përket Demarkacionit është një obligim, ne kemi thënë që është kriter i padrejtë por ai ekziston dhe s’mund ta heqim dhe nuk mund të sillemi sikur nuk është asgjë edhe nëse s’miratohet demarkacioni dhe po ashtu s’kemi liberalizim të vizave. Askush nga LDK-ja, por as nga deputetët po besoj nuk kemi thënë as nuk jemi që t’i falet dikujt territor, kjo është e qartë….Vetëm se mendoj që është jo korrekte nga ata që kanë nga dy tre pasaporta që marrin nga dy tri rroga dhe që janë deputet me korrespodencë, që shëtitën nëpër Evropë, e me na mbajt neve ligjëratë për qytetarët që nuk e kanë këtë mundësi. Më së paku nga ta do të ishte që të heshtin”, theksoi Beqiri.

Beqiri nuk ka mundur të thotë se kur mund të formohet Asociacioni, e as ratifikohet Demarkacioni, madje, ka vënë në dyshim nëse kjo do të ndodh brenda kësaj legjislature dhe këtij mandati qeverisës.

Mirëpo, opozita vazhdon të këmbëngul se nuk do të lejojnë formimin e Asociacionit, e as ratifikimin e marrëveshjes aktuale për Demarkacionin.

Driton Çaushi nga Vetëvendosje, thotë se Asociacioni është antikushtetues në 23 nenet e Kushtetutës dhe e kanë gatishmërinë për të kundërshtuar me çdo mjet nëse një gjë e tillë mund të rikthehet në Kuvend.

Çaushi: Nuk mund të zbatohet një asociacion monoetnik

“Një Aasociacion mon- etnik është i pamundshëm. Emri është i kontestueshëm edhe nga vendimi i Kushtetueses, pra një asociacion i komunave me shumicë serbe, prandaj nuk lë hapësirë për çfarëdo mënyre të zbatimit të këtij projekti”, tha Çaushi.

As marrëveshja për Demarkacionin, sipas Çaushit nuk mund të rikthehet në Kuvend ashtu siç është tani, sepse është dëshmuar se është gabim.

Çaushi: Demarkacioni u dëshmua se u bë gabim

“Jo, mendoj që për të gjithë që e kanë vlerësuar dhe e kanë përcjell çështjen e demarkacionit e dimë që kemi pasur të bëjmë me një proces absolutisht të gabuar politikisht dhe shkencërisht. Pra një gjë e tillë nuk mund të kthehet sepse është dëshmuar nga baza profesionale dhe shkencore se është projekt i gabuar”, theksoi ai.

Si pasojë e kundërshtimeve opozitare, vitin që shkoi opozita ka organizuar disa protesta, ka bllokuar shumë seanca plenare ku ka hedhur edhe gaz lotsjellës në të cilat është pamundësuar themelimi i Asociacionit dhe ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

COMMENTS