Policia e Kosovës ka bërë me kohë planifikimet për zgjedhjet

Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlam

Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit dhe iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar që ndërlidhet me sigurinë të njoftojnë PK-në, në mënyrë që të ndërmerren masat ligjore.

Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, thuhet në komunikatën e policisë.

Planifikimi operativ parasheh implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore 10 ditore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita Z, si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, sigurimin e qendrave të votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve, depove komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe depove qendrore, përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Policia tërheq vërejtjen se do të ketë inicim dhe procedim të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet që rregullojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Po ashtu, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë të njoftojnë policinë, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore.

COMMENTS