Policia bastisë shtëpinë e Dardan Molliqajt në Beleg të Deçanit

Policia e Kosovës ka bastisur sot në mëngjes shtëpinë e sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj. Sipas VV-së bastisja ka ndodhur në shtëpinë e Molliqajt në Beleg të Deçanit.

Nëpërmjet një komunikate për media VV mendon se bastisja është bërë me urdhër të ‘klanit Pronto’ me qëllim që t’i hakmerret Molliqajt.

‘Kjo është hakmarrja e krerëve kriminelë të Policisë, pas një serie konferencash publike të z. Molliqaj ku u kritikua Policia e Kosovës për montime politike kundër aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe për kapje nga klani pronto. Urdhri i dhënë nga lartë për këtë bastisje, e rikonfirmon faktin që Policia e Kosovës është shndërruar në institucion të mbrojtjes së krimit të klanit pronto dhe luftues të kundërshtarëve politikë të këtij klani. Ky lloj instrumentalizimi i policisë dhe shndërrimi i kësaj të fundit në njësi paramilitare në funksion të disa individëve në pushtet, është shenjë e qartë e autoritarizmit që po instalohet në Kosovë. Shembuj të tillë po na kthejnë në vitet e paraluftës kur funksioni i policisë nuk ishte siguria e qytetarëve por shtypja e tyre’, shkruan VV.

Sipas tyre ‘Klani Pronto’, përmes Policisë së Kosovës, po terrorizon familjet e aktivistëve të Vetvendosjes dhe po synon të përhapë panik në popull, në një moment kur zemërimi qytetar me këtë qeverisje është më i madh se asnjëherë më parë.

COMMENTS