Policë me antiplumbë po ruajnë Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës (Foto)

Kanë mbetur edhe pak minuta deri në nisjen e seancës së paralajmëruar për orën 10, në të cilën është vetëm një pikë e rendit të ditës, mocioni i opozitës për rrëzimin e qeverisë Mustafa.

E kjo ka bërë që pjesa përreth Kuvendit dhe Qeverisë të jetë e siguruar, pasi që aty shihen trupa policorë.

Ata janë të veshur me jelek anitplumbë dhe shihen janë ngado në sheshet e kryeqytetit.

Kujtojmë se seanca për mocionin është paralajmëruar të nis në ora 10, derisa sot po ashtu është thënë se do të mbahet edhe seanca e Kuvendit për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

E nëse kjo marrëveshje vije në Kuvend, opozita ka bërë thirrje për protestë në shesh.

Kuvendi i Kosovës pritet të votojë sot mocionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë. Ky mocion është iniciuar nga partia opozitare, Nisma për Kosovën dhe është mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Krahas 30 nënshkrimeve nga deputetët e tri partive opozitare, mocioni është mbështetur edhe nga 8 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila është në pushtet, si dhe 4 deputetë tjerë, kryesisht të pavarur.

Opozita synon të sigurojë 61 vota në Kuvend, të nevojshme për rrëzimin e qeverisë.

Nëse mocioni i mosbesimit merr 61 vota, atëherë çështja kalon në në dorën e Presidentit të Kosovës që të vendosë nëse do të shpërndajë Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo t’ia jap besimin një mandatari të ri për formimin e një qeverie të re.

Ndërkaq, nëse opozita dështon t’i sigurojë 61 vota për rrëzimin e qeverisë, atëherë nuk mund të ketë ngritet mocion i ri brenda 90 ditëve vijuese.

Partia Demokratike në koalicionin qeverisës nuk ka marrë ende një qëndrim për çështjen e mocionit të (mos)besimit për qeverinë, që e kanë ngritur partitë në opozitë.

Kryesia e PDK-së të mërkurën u mblodh për të vendosur mbi hapat e mëtejmë për qeverisjen aktuale me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme janë përmendur si opsion për të nxjerrë vendin nga bllokada e vendimmarrjes edhe nga deputetë dhe zyrtarë të partive në pushtet.

Koalicioni aktual po përballet me probleme serioze në vendimmarrje për çështje të rëndësisë së veçantë, siç është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, me çka është bllokuar procesi i liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian këto ditë kanë inkurajuar krerët e institucioneve si dhe Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, që të ratifikojnë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke mos i dhënë mbështetje mocionit i cili besohet se përveç rrëzimit të qeverisë, do ta dërgonte vendin në zgjedhje.

COMMENTS