Phillips: Pse Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

Phillips: Pse Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

Liderët e PAN-it ‘po rrotullojnë gurët’ ata takuan…(Foto)
Vdesin 2 e lëndohen 3 persona në aksident rrugor

David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe për të Drejta në Institutin për Studime për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia, në një opinion të votuar në prestigjiozen amerikane ‘The Washington Times’, ka propozuar formatin e ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, në dialogun mes dy vendeve duhet të jetë një ndërmjetës i ashpër evropian, duke përmendur ministrin e Financave të Gjermanisë, Wolfgang Schauble, ndërsa si përfaqësuese nga SHBA ai propozon ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice, raporton Koha.net.

Më poshtë ju sjellim të plotë vështrimin e Phillips:

Pse Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

Brukseli insiston që Serbia t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën para se të bashkohet në Bashkimin Evropian (BE). Deri më tani, 114 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Serbia bën fushatë kundër përpjekjeve të Kosovës për të fituar njohje më të gjerë globale. Ajo përkrah edhe strukturat paralele private në Veri të Kosovës, të cilat e cenojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin ankth në mesin e serbëve të Kosovës. Konflikti Kosovë-Serbi mund të zgjidhet me ndërmjetësim më efektiv ndërkombëtar. Diplomacia funksionon më së miri kur Evropa dhe SHBA-ja punojnë së bashku.

Deklarata e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq rrisin optimizmin. Ai i bëri thirrje kombit serb të ‘ndalojnë së futuri kokën e tyre në rërë’ për çështjen e Kosovës dhe të nisin ‘një dialog të brendshëm’. Ai u tha serbëve ‘të jenë realistë’.

Një Pazar i madh mund të jetë duke u përgatitur. Ndërsa normalizimi nis me adresimin e shumë çështjeve bilaterale, e tëra përmblidhet në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Njohja do të çonte në anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe Serbia do të negocionte kriterin e anëtarësimit në BE, në fund të fundit duke hyrë në BE në të njëjtën kohë.

Një kornizë për negociata veçse ekziston. Dialogu Kosovë-Serbi është nisur nga BE-ja më 2011. Kosova dhe Serbia finalizuan marrëveshje për çështje teknike siç është liria e lëvizjes, menaxhimi i integruar i kufijve dhe targat e veturave. Megjithatë, zbatimi nuk ka qenë i barabartë. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 afirmoi ‘të ardhmen evropiane’ për Kosovën dhe Serbinë. Në rastin më të mirë, ka përparim të fragmentuar në sferën politike.

Marrëveshjet ekzistuese duhet të fuqizohen. BE-ja duhet të suspendojë ndërmjetësimin nëse ndonjëra palë nuk u përmbahet përkushtimeve. Një Mekanizëm Monitorues zyrtar i BE-së do t’u raportonte shteteve anëtare përmes Komitetit për Siguri Politike të Këshillit të BE-së.

BE-ja duhet të kushtëzojë fondet e siguruara për Kosovën dhe Serbinë përmes Instrumentit të saj për Programin e Ndihmës për Para-Anëtarësim. ‘S’ka progres, s’ka kapituj’ do të ishte parimi kryesor, që do të lidhte progresin e dialogut Kosovë-Serbi me aspiratat e Serbisë për në BE.

Ndërmjetësve u duhet një plan dalës për diplomacinë e tyre. Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, që shërbeu si i dërguar special i OKB-së nga 2005 deri më 2008, e dinte rezultatin e përpjekjeve të tij para se të merrte detyrën. Ndërmjetësit e sotëm kanë nevojë për qartësi strategjike e morale.

Një format i ri do të nxiste negociatat. BE-ja duhet të caktojë një individ me peshë të rëndë ndërkombëtare si të dërguar special. Wolfgang Schauble, ministër i Financave në Gjermani, ka ndikim dhe përvojë negociuese. Ai do të ishte i vështirë në këtë rol. Marrë parasysh përvojën dhe punën e saj të përgjithshme në Ballkan si Sekretare Amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice do të ishte ideale si përfaqësuese speciale e SHBA-së, transmeton Koha.net.

Dialogu nuk mund të jetë me fund të hapur. Ndërmjetësit duhet të caktojnë një afat përfundimtar prej 18 muajsh. Ora do duhej të niste së lëvizuri kur dialogu të riformatohet dhe të rinis.

Populli i Kosovës dhe i Serbisë duhet të mbahen të informuar. Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë duhet të përfshijnë një ‘ekip uniteti’, të përbërë nga parti të mëdha politike dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Një marrëveshje nuk do të jetë e lehtë. Është një mori e çështjeve bilaterale që duhen adresuar. Janë rreth 1,500 persona të zhdukur nga lufta. Një Komision Rajonal për Fakte për Krime të Luftës do të ndihmonte në qetësimin e viktimave të familjes. Rreth 1.5 miliardë dollarë të fondit të pensioneve të Kosovës dhe 600,000 dollarë të privatizimit janë marrë nga Serbia. Në këmbim, Serbia dëshiron të rimarr vlerën e investimeve të saja në Kosovë. Nevojitet një plan kompensimi. Kosova ka nevojë për një plan gjithëpërfshirës për integrimin e serbëve të Kosovës, duke siguruar autonomi lokale për të rritur të drejtat e pakicave.

SHBA ka interes në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova është në vijë të frontit të luftës së re të ftoftë të Rusisë me Perëndimin. Moska ka qenë duke transferuar armë të sofistikuara në Serbi, përfshirë aeroplanë luftarakë MIG-29, tanke luftarake T-72 dhe raketa tokë-ajër BUK. Në dhjetor, një tren rus i veshur me mesazhin ‘Kosova është Serbi’ në 20 gjuhë u ndalua nga autoritetet e Kosovës në kufi. Lufta pasuese me fjalë për pak sa nuk kaloi në konfrontim të dhunshëm.

Mungesa e progresit ka ndikim negativ si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Dështimi në integrimin e plotë në sistemin ndërkombëtar rrezikon ekonominë e Kosovës, e cila vuan nga papunësia prej 30 për qind dhe nga një përqindje edhe më e lartë e të rinjve të papunë. Mungesa e zhvillimit ekonomik ka nxitur një ekonomi të nëntokës. Kriminaliteti, korrupsioni dhe nepotizmi janë të përhapura në rajon.
Mohimi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës i ka bërë ata të zhgënjyer me Perëndimin. Islamizmi është në rritje. Një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës i janë bashkuar Shtetit Islamik në Irak e Siri. Me financim nga Turqia, në Prishtinë planifikohet ndërtimi i xhamisë më të madhe në Ballkan, transmeton Koha.net.

Serbia është e stigmatizuar nga praktikat e saja gjenocidale gjatë viteve të ’90-ta. Vazhdon të mbes një shtet afër dështimit, i zënë në mes të historisë së saj të errët, aspiratave evropiane dhe ndikimit zullumqar të Rusisë. Në mungesë të reformave ekonomike, Serbia është bërë qendër për krim të organizuar dhe për të gjitha llojet e trafikimit. Veriu i Kosovës udhëhiqet nga një bandë kriminale nën kontrollin e Beogradit. Ekziston një marrëdhënie e dyanshme simbiotike mes bandave në veri të Kosovës dhe homologëve të tyre mafiozë në Serbi dhe rajon.

Serbia dëshiron të fitojë anëtarësimin e BE-së porsa t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. A do t’i zgjidhte problemet e Serbisë me Kosovën integrimi euro-atlantik? A do të mundet Serbia ta sigurojë pajtimin e Rusisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB? A do ta bllokonte Serbia anëtarësimin e Kosovës në BE nëse bëhet anëtare e BE-së.
Globalistët në administratën e Trumpit mund të arrijnë një sukses në politikën e jashtme duke u angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi. Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të stabilizonte një rajon me rëndësi strategjike në Evropë, do të riafirmonte rëndësinë e bashkëpunimit trans-atlantik dhe do të theksonte rolin e domosdoshëm diplomatik të Washingtonit.

• David L. Phillips është drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe për të Drejtat në Institutin për Studime për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia. Ai është autor i ‘Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and U.S. Intervention’ (MIT Press, 2012).

COMMENTS