Përzgjidhen 45 studentë për të ndjekur masterin në universitetet e BE-së

Përzgjidhen 45 studentë për të ndjekur masterin në universitetet e BE-së

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Integrimit Evropian prezantuan 45 përfituesit e granteve të përzgjedhur në raundin XI të projektit të Skemës së Qelizave të Reja (YCS) për të ndjekur studimet për master njëvjeçar në universitetet e BE-së.

Agron Hoti nga Ministria e Integrimeve Evropiane tha se ende në shumë sektorë nëpër institucione të Kosovës nevojiten të rinj të kualifikuar ose të specializuar në degë të ndryshme. Ai u shpreh i bindur se mbas studimeve, ndikimi e tyre do të jetë shumë i madh për ngritjen e kapaciteteve nëpër institucione të Kosovës.

Ai ka shtuar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është hapur një perspektivë e gjerë për të rinjtë e Kosovës.

‘Kontributi i juaj do të jetë shumë i madh në reformën e administratës publike, të cilën jemi duke e bërë dhe çdo gjë fillon nga rekrutimi i personelit. Ne si qeveri jemi të interesuar me i dërguar të rinjtë në këtë sektor, për arsye se është prioritet që është përmendur edhe në raportin e shtetit, i cili tash së fundi është publikuar’, ka theksuar Hoti.

Riccardo Serri nga Zyra e Komisionit Evropian në Prishtinë, duke theksuar se ky program është i veçantë për të rinjtë e Kosovës, tha se deri më tani kanë diplomuar rreth 300 student, dhe inkurajon edhe këta 45 përfituesit e rinj që të përfundojnë studimet nëpër universitetet e BE-së dhe pastaj të kontribuojnë në institucionet e Kosovës.

‘Ju do të përfitoni përvoja të reja, dhe kur të ktheni do të kontribuoni në institucionet e juaja, në ministritë e juaja në rritjen dhe në zhvillimin e vendeve ku do të punoni. Është një projekt i veçantë në këtë aspekt, deri më tani kanë diplomuar 289 studentë që kanë qenë pjesë e këtij programi. Andaj, ju do të jeni ajo qeliza e re, jeni persona të rinj, dhe kur të ktheheni në shtetin e juaj të punoni në administratë të Kosovës’, ka thënë Serri.

Zyrtarë të MIE shpresojnë që edhe në të ardhmen të ketë këso lloj projektesh për të rinjtë e Kosovës.

COMMENTS