Peja, kampione në volejboll

Peja, kampione në volejboll

Klubi i Volejbollit Peja, është kampion i Kosovës në volejboll, pasi në Pallatin e Sporteve, mposhti Prishtinën 3:2 në sete, në ndeshjen e tretë të serisë finale.

Peja kishte fituar duelin e parë në Prishtinë, por në mesjavë u befasua nga bardhekaltrit në Pejë, për ta lënë që Finalja e Madhe të përcaktohej në kryeqytet, në një ndeshje dramatike, raporton ‘Sporti Total’ i KTV-së.

Takimi në kryeqytet nis me avantazhin e mysafirëve 7:1, por prishtinasit u rikthyen shpejt, duke barazuar rezultatin në 11:11, pas 13 minutave lojë. Dhe kështu ngushtë ishte deri në fund të setit të parë, që u takoi prishtinasve, 25-23.

Pejanët u rikthyen fuqishëm në setin e dytë dhe e fituan këtë set 25:13, duke e barazuar rezultatin 1:1 në sete.

Lehtë për pejanët ishte edhe në setin e tretë, që e fituan 25:15 dhe për të marrë epërsinë në sete 2-1.

Kur mendohej se pejanët do ta kenë të lehtë edhe në setin e katërt, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Volejbollistët prishtinas arritën që me shumë mund ta fitojnë këtë set 25:23, për ta dërguar ndeshjen në setin final, tie-break.

Më të koncentruar në setin e fundit, ishin pejanët që arritën me shumë lehtësi ta fitojnë këtë set 15:9 për të fituar 3:2 me sete.

Për Pejën, ky ishte titulli i tretë kampion në histori të klubit.

COMMENTS