Pas emërimit të kryeprokurorit, pritet ngritja e aktakuzave nga Specialja

Pas emërimit të kryeprokurorit, pritet ngritja e aktakuzave nga Specialja

Me emërimin e Jack Smith si kryeprokuror në Gjykatën Speciale, i është hapur rruga formalizimit të kësaj gjykate dhe ngritjes së aktakuzave.

Të paktën kështu po thotë avokati Tahir Rrecaj që është edhe i akredituar nga Specialja për mbrojtjen e të akuzuarve.

Rrecaj ka thënë për Lajmi.net se aktualisht janë plotësuar të gjitha procedurat për ngritjen e aktakuzave.

‘Me emërimin e kryeprokurorit të ri të dhomave të specializuara, dhe me akreditimin e avokatëve mbrojtës janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore që procedurat për ngritjen e aktakuzave dhe procedurat e mëtejshme gjyqësore mund të zbatohen’, ka thënë avokati Rrecaj.

Sipas tij, në vjeshtën e këtij viti do të ngrihen aktakuzat e para.

Rrecaj thotë se për funksionalizimin e Speciales nuk ka asnjë pengesë teknike dhe ligjore.

‘Mund të jetë fillimi i vjeshtës besoj që deri kah vjeshta e këtij viti, Gjykata do të funksionalizohet dhe do të ngrihen aktakuzat e para. Nuk ka më asnjë pengesë teknike as ligjore që të fillojë funksionalizimi i saj’, tha Tahir Rrecaj.

Specialja kishte mbetur pa kryeprokuror që nga 31 marsi i këtij viti, pas largimit të David Schwendiman.

Gjykata Speciale u tentua të shfuqizohej nga deputetët e Kosovës në fundin e vitit që lamë pas, duke thirrur një seancë të jashtëzakonshme, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kjo pasi në dy mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit nuk pati kuorum të mjaftueshëm, duke e dështuar këtë tentativë.

COMMENTS