Paria e Kosovës jo unike para fazës së re të dialogut

Paria e Kosovës jo unike para fazës së re të dialogut

Rakiq: Lista Serbe del nga qeveria
Projektligji për Demarkacionin, shkon në Kryesi të Kuvendit për shqyrtim

Kosova dhe Serbia kanë në dispozicion gjithë vitin 2018 që të arrijnë deri te një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve reciproke. Synimet janë që me anë të kësaj marrëveshjeje, edhe nëse nuk do të ketë zbutje të qëndrimit të Serbisë karshi pavarësisë së Kosovës, të paktën të ketë një pajtim të saj për anëtarësimin e papenguar të Kosovës në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Një marrëveshje e tillë, do t’ia hapte dyert Kosovës drejt anëtarësimit të saj viteve të ardhshme, në Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe organizatat e mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.

Por, para se të fillojë kjo fazë e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e procesit që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, në Prishtinë presidenti Hashim Thaçi ka ftuar spektrin politik për unitet, ngjashëm me kohën e negociatave për pavarësinë.

Thaçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sa herë që spektri politik në vend është bashkuar, Kosova ka dalë fituese në procese negociuese.

‘Unë dua të shpresoj që dialogu do të vazhdojë, do të ndodhë formimi i një ekipi të përbashkët politik. Unë dua të besoj fuqishëm se do të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që Serbia ta njohë Kosovën dhe Kosova Serbinë, do të thotë njohje reciproke dhe Kosova të jetë pjesë e organizatës së Kombeve të Bashkuara. Asnjë dialog tjetër nuk ka kuptim me Serbinë’, ka thënë Thaçi.

Si njeriu që u ka prirë negociatave me Serbinë në Rambuje dhe pastaj edhe atyre për statusin e Kosovës të zhvilluara në Vjenë, Hashim Thaçi ka marrë përsipër t’i prijë edhe fazës së fundit të procesit të bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

‘Përgjegjësitë tonë janë të specifikuara dhe të qartësuara edhe me Kushtetutë, edhe me ligj, presidenti e përfaqëson, ndërton politikën e jashtme’, ka deklaruar Thaçi.

Por, rrethanat politike tani kanë ndryshuar. Opozita, nuk është në favor të krijimit të një ekipi uniteti dhe rolit prijës të presidentit Thaçi në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se krijimi i grupeve të unitetit ishte nevojë në kohën kur Kosova nuk e kishte të zgjidhur statusin e saj.

‘Kosova ka pasur grup uniteti në kohën kur është negociuar për statusin final të saj. Në atë kohë është dashur që, vërtet, të kemi një grup uniteti, për shkak se ne nuk kemi qenë shtet i njohur ndërkombëtarisht. Sot jemi shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk kemi nevojë për ekip uniteti. Uniteti krijohet në Kuvend dhe Qeveria e udhëheq dialogun, jo presidenti’, thotë Gecaj.

Njësoj sikurse LDK-ja, edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ia beson presidentit Thaçi udhëheqjen e dialogut.

Glauk Konjufca, deputet i Vetëvendosjes, thotë se në vitin 2017, Thaçi ‘ka mandatuar vetveten për t’i udhëhequr negociatat me Serbinë’, çka sipas tij, ishte veprim i rrezikshëm.

Ai thotë se ofertat që priten nga Serbia në dialog, mund të jenë të dëmshme përderisa ky vend nuk e njeh Kosovën si shtet.

‘Serbia do të bëjë oferta me qëllim, gjoja se ata kanë bërë lëshime e që Kosova do të detyrohet të bëjë lakime. Serbia është e gatshme që ta ndërrojë Kushtetutën, pastaj është e gatshme të bëjë njohje të tërthortë të Kosovës, por që i bie të mos e njohë Kosovën, por, mjafton ta ketë një ulëse në OKB’, thotë Konjufca.

Por, ndryshe nga opozitarët mendon Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që drejtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj. Isufi thotë se vendit i duhet një konsensus i brendshëm për fazën e ardhshme të bisedimeve në Bruksel.

‘Dialogu me Serbinë tani duhet të shtrihet në njohjen e drejtpërdrejtë të dy shteteve dhe e dyta duhet që të bisedohet për marrëdhëniet dhe normalizimin e tyre dhe jo për punët e brendshme të Kosovës. Ajo që i duhet Kosovës është një konsensus jo vetëm presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit, por të gjithë ata që janë aktivë në jetën politike të jenë pjesë e dialogut’, thekson Isufi.

Mes polemikave rreth fazës së ardhshme të dialogut, në Qeverinë e Kosovës thonë se nuk është më rëndësi kush e udhëheqë dialogun, por sipas Halil Matoshit, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, me rëndësi është që të ketë gjithëpërfshirje, duke aluduar edhe në opozitën.

‘Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me krerët institucionalë të Kuvendit dhe presidentin, janë duke e ndërtuar një ekip, një strategji të unifikuar, që të rinisë dialogu me Serbinë, gjegjësisht që procesi të hyjë në fazën përfundimtare, duke e afatizuar në kohë dhe që rezultati final i tij të jetë njohja e dyanshme mes dyja shteteve’, thotë Matoshi.

Ndërkohë, analisti nga Grupi Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, thotë se Kosova dhe Serbia e kanë tashmë të qartë se rruga e tyre drejt integrimeve varet nga përparimet në dialog. Sa i përket Kosovës, ai pret që marrëveshja e ardhshme me Serbinë t’ia zgjidh problemin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

‘Kosova e ka tani një momentum që ta kap çështjen e dialogut dhe ta avancojë dhe përmbyllë me fazën finale që kërkohet. Të njëjtën kohë e plotëson edhe një prej kritereve të saj kyçe, e përmbyll çështjen e normalizimit me Serbinë, me çka eventualisht do të futej në OKB dhe do ta zgjidhte problemin me pesë vendet e BE-së që nuk e njohin atë si shtet’, vlerëson Rashiti.

Procesi i dialogut është analizuar edhe në një raport të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami, autor i raportit, vlerëson se në Bruksel po mbizotëron ideja që deri në vitin 2019, dialogu me Serbinë të përmbyllet me një marrëveshje për të dyja palët.

Bajrami thotë se në Kosovë mungon një konsensus rreth fazës së ardhshme të dialogut, përderisa presidenti Thaçi nuk e gëzon mbështetjen e shumicës në Kuvend për rolin prijës në këtë proces.

‘Qeveria aktuale nuk është e gatshme dhe nuk ka ndonjë vullnet të udhëheqë këtë dialog njëjtë sikurse qeveritë e kaluara’, konsideron Bajrami.

Gjatë vitit 2017, presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel. Aty, në prani të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, janë zotuar ta vazhdojnë procesin e bisedimeve.

Presidentët Thaçi e Vuçiq kanë rënë dakord që të nisin me punën për fazën e re të dialogut që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ata janë zotuar për formimin e grupeve punuese apo profesionale që do të punojnë për shfaqjen e ideve për përgatitjen e fazës së re të dialogut.

Vuçiq pati paralajmëruar edhe dialog të brendshëm në Serbi rreth fazës së fundit të dialogut me Kosovën. Kurse Thaçi mbajtjen e një referendumi në Kosovë rreth marrëveshjes finale. Por, asnjëri nuk i kanë sqaruar qartë idetë e tyre.

Takimet në nivelin politik të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, janë një dimension i ri i dialogut, i cili kryesisht është zhvilluar në nivelin e kryeministrave.

Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Ekipet teknike janë takuar pothuajse rregullisht për mënyrat e zbatimit të saj, por shumë nga çështjet e dakorduara, kanë mbetur vetëm në letër.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Sipas Brukselit, ky dialog ka si qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kusht për rrugëtimin e të dyja vendeve drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Në fund të vitit 2012, ka nisur dialogu politik ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka hapur kapituj të rinj të të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, ndërkohë që Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

COMMENTS