Pacolli në Hungari kërkon heqjen e Demarkacionit si kusht për viza

Pacolli në Hungari kërkon heqjen e Demarkacionit si kusht për viza

Kuvendi vazhdon nesër seancën, pritet votimi i rezolutës për murin në Mitrovicë
AGK: Dënon arrestimin e fotoreporterit Blerim Uka

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli kërkoi sot nga ministrat e jashtëm të Grupit të Vishegradit, që të hiqet demarkacioni me Malin e Zi si kushte për liberalizimin e vizave për kosovaret. Në fjalimin e tij, Pacolli tha se Serbia dhe Kosova janë dy shtet fqinje me ide pro-evropiane.

Gjatë sesionit plenar të ministerialit të Grupit të Vishegradit, ku morën pjesë shefat e diplomacisë së Hungarisë, Polonisë, Çekisë, Sllovakisë, plus 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe ata të Rumanisë, Kroacisë, Estonisë dhe Bullgarisë si vend President i radhës së Bashkimit Evropian, ministri i jashtëm i Kosovës, Pacolli tha se Demarkacioni, nuk duhet të jetë një problem evropian. Sipas tij, duhet të hiqet si kusht për liberalizimin e vizave.

Pacolli u prezantua si ministri më i ri në detyrë prej homologut të tij hungarez, i cili e uroi për suksese në detyrën e re.

‘Ne jemi një shtet i ri, i ndërtuar nga e para, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe miqve tanë të përtej Atlantikut dhe që prej 2008 kur shpallëm pavarësinë, ne kemi miratuar një legjislacion 100 për qind evropian, një kushtetutë model për trajtimin e pakicave, në planin gjuhësor dhe të drejtave në përgjithësi. Ne kemi bërë shumë hapa në drejtim të integrimit evropian dhe ndërkombëtar, me ndihmën e miqve tanë evropianë’, tha Pacolli.

Duke iu referuar ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili u ankua pse në procesin e integrimit të Serbisë, duhet konsideruar dhe ‘gjykimi i Prishtinës, për ecurinë në këtë proces’, Pacolli tha se Kosova dhe Serbia janë dy shtete fqinje, dhe ky është një fakt i pamohueshëm.

‘Kosova sot është shtet sovran me ligjet e veta, me kushtetutën e vet, që i mbron pakicat, gjuhët e tyre, të drejtat e tyre themelore…Ju në fjalën tuaj ju referuat librit “Ura e Drinit“ të Ivo Andriçit. E kam lexuar disa herë. Ne duhet të ndërtojmë urën midis Serbisë dhe Kosovës në shërbim të brezit tonë të ri, dhe Kosova është e angazhuar për këtë, por ne nuk mund t’i krijojmë pengesa njeri-tjetrit, dhe as të mohojmë faktet’, deklaroi Pacolli.

‘Ne në Kosovë jetojmë shumë mirë mes nesh pa krijuar probleme me pakicat, ndonëse jemi njerëz dhe mund të përballemi me çështje të caktuara. Ne duhet të lëmë mënjanë çdo provokim dhe të ndërtojmë të ardhmen si shtete të pavarur në rajon, ku ne kemi shembuj të shkëlqyer bashkëpunimi me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi, pavarësisht çështjes së krijuar me demarkacionin’, tha ai.

Demarkacioni, siç tha më tej Pacolli, nuk është problem mes nesh dhe as nuk duhet të jetë një problem evropian. Ai, sipas tij, duhet të hiqet si kusht për liberalizimin e vizave.

‘Ju e dini se Gjeorgjia dhe Ukraina kanë probleme me kufijtë, por atyre u është njohur liberalizimi i vizave. E kemi të vështirë t’ua tregojmë të rinjve tanë që janë 100 për qind pro-evropianë se pse këto vende e kanë liberalizimin e vizave dhe ne jo’, tha ai.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se nuk duhet të mendohet se Kosova është vrimë e zezë e Evropës dhe duhet të mbetet e izoluar. ‘Çdo ditë për një qytetar po bëhet akoma dhe më e vështirë për të marrë vizë, për të lëvizur normalisht dhe kjo s është normale. Nuk është korrekte. Kosova duhet të çlirohet nga ky kusht, problemi i vizave duhet të zgjidhet. Kosova do të bëjë çdo gjë që kjo të ndodhë. Kosova do të bëjë çdo gjë që është e mundur në këtë drejtim që të kemi një Marrëveshje paqeje me Serbinë’, deklaroi Pacolli.

Duke komentuar fjalën e Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, homologu dhe nikoqiri i takimit, Peter Szijarto, tha se ‘ne si Hungari do punojmë që të përshpejtohet procesi i integrimit, pa kushte që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe’.

COMMENTS