O’Connell reagon për përgjimet e Grabovcit – Shteti s’mbahet me nepotizëm

Në Kuvendin e Kosovës është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të Ambasadës së Britanisë së Madhe, Kuvendit dhe Qeverisë, i cili i dedikohet fuqizimit dhe pavarësimit të bordeve të Agjencive të Pavarura.

Me këtë rast Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’ Connell, ka thënë se nepotizmi, sikurse edhe fenomenet tjera negative, po e dëmtojnë Kosovën. Këto komente, ai i ka bërë në lidhje me bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci më zyrtarë të lartë të partisë të cilësuara tashmë në media si afera, ‘Pronto II’.

Kosova ka thënë ai ‘duhet t’i thyej praktikat dhe kulturën e nepotizmit’. Sipas tij, nëse në Kosovë vazhdon kultura e nepotizmit, kjo do të paraqiste dështim për vendin.

‘I kam dëgjuar përgjimet, por e kemi ditur qysh moti që niveli i nepotizmit është në Kosovë. Kjo është përmendur çdo vit në raportet e progresit të Bashkimit Evropian dhe kjo nuk është diçka e re. Por, është diçka që e dëmton Kosovën’, ka theksuar O’Connell, pas një takimit me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ndryshe gazeta në internet Insajderi, vazhdimisht është duke publikuar bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci me zyrtarë të lartë të partisë, që sipas gazetës, shfaqin ndikimin e ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

COMMENTS