Një familje me dy fe (Video)

Një familje me dy fe (Video)

Shembet tavani në spitalin e Vushtrrisë (Foto)
Zbehja e BE-së, më shumë hapësirë për Turqinë në Ballkan

Shqiptarët gjithmonë janë shquar për tolerancë ndërfetare. E këtë më së miri e dëshmojnë banorët e fshati Brusë të komunës së Lipjanit. Familja Gashi nga ky fshat, ka një të veçantë që e kanë pak familje kosovare.

E ardhur kohë më parë nga Llapushniku i Drenasit, familja Gashi i takonte besimit mysliman, por që më pas një pjesë e saj kishte vendosur të pranojë brenda vetes edhe fenë katolike.

Ruzhdiu, apo Laz Gashi, emër ky me të cilin ai njihet nga kisha, është njëri prej pjesëtarëve të kësaj familje, babai i të cilit vite më parë vendosi që të lërë fenë myslimane dhe të pranojë atë katolike.

Por, kjo s’kishte ndikuar aspak që marrëdhënia mes dy vëllezërve dhe familjeve të tyre, sot e asaj dite të vazhdonin pa problemin më të vogël.

Ruzhdiu, bashkë me gruan e tij, Marinë gjatë kohës kur u vizitua nga ne ishin duke pritur mysafirë për festën e Pashkëve, ndërsa dy djemtë e tyre, po bëheshin gati të niseshin në kishën e fshatit për të dëgjuar meshën e orës 11:00.

Ai, tregon për “Arbresh.info” se edhe pse dy fe të ndryshme, familja Gashi, tash një familje e madhe, vazhdon të jetojë në harmoni.

“Na vëllezërit jemi krejt katolikë, ndërsa fëmijët e axhës janë myslimanë. Kjo ka ardhur si shkak i martesave, disa janë martuar me myslimanë, disa me katolikë. Ata e vazhdojnë fenë e vet si myslimanë, ne si katolikë. Nuk ndikon feja tek ne”.

Ruzhdi Gashi, tregon se në rastet e ahengjeve të ndryshme familjare, nuk mungojnë tek njëri-tjetri.

“Ata vijnë me na uru festën, ne shkojmë për Bajram ja urojmë festën. Edhe në vdekje e dasma shkojmë. Te na nuk ndikon asgjë fakti se kushërinjtë i kemi të fesë tjetër”, shprehet Ruzhdiu.

Ai thotë se nuk do të kishte pengesë nëse djali apo vajza e tij do të martohej me një person që s’i përket fesë katolike.

“Jo nuk më pengon asgjë. Veç le të jenë në udhë të Zotit, nuk prish punë për mu, pa marrë parasysh çfarë feje ka”, thotë ai.

Martesa ndër fetare në familjen e tij veçse kanë ndodhur. Ai tregon se motra dhe halla e tij janë të martuar për myslimanë.

Toleranca fetare mes tyre shkon deri aty, saqë edhe pse i përkasin besimeve të ndryshme ata gjatë festave bashkë shkojnë në kishë dhe xhami.

Edhe Sokol Gashi, djali i axhës së Ruzhdiut që i përket besimit islam tregon historinë e fshatit Brusë dhe rrjedhën e ndarjes së banorëve në dy fe.

Ai thotë se edhe pse i përkasin dy feve të ndryshme, ata vazhdojnë të jenë vëllezër, të vizitojnë njëri-tjetrin gjatë festave, por edhe martesat ndër fetare për ta janë normale.

Ai, thotë se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem më të voglin mes këtyre familjeve.

“Edhe nëpër festa, nëpër dasma na shkojmë si vllazni, unë shkoj te ata, ata vijnë te unë. Feja është qejf i njërit. Problem s’e mbaj mend kurrë që kanë tregu pleqtë që kemi pasur për fe”, thotë Sokoli.

Ata kanë gjithçka bashkë, përfshirë shkollën dhe punën. Urrejtja fetare për ta është diçka absurde.

COMMENTS