Një ditë e ‘zakonshme’ në Kuvend?

Një ditë e ‘zakonshme’ në Kuvend?

Pacolli në Gjilan: Me ne në qeverisje Kosova do t’i arrijë 160 njohje
Çitaku në OKB: Kosova e lodhur nga standardet e dyfishta në dialog

Kuvendi i Kosovës, për të tretën herë do të mblidhet sot për të provuar në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovë dhe nënkryetarëve.

Seanca konstituive e thirrur nga kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci që vjen nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është kundërshtuar nga përfaqësuesit e koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas.

Ata kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë, pasi sipas tyre, ajo është thirrur në mënyrë arbitrare dhe pa një marrëveshje.

Kuvendi i Kosovës në një njoftim për media ka bërë të ditur se e vetmja pikë e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

PDK dhe koalicioni PAN po synojnë që të kenë 61 vota e më tepër, si për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ashtu edhe për Qeverinë e re.

Por, deri me tash ky koalicion nuk ka dëshmuar se ka numrin e mjaftueshëm të votave.

Në përpjekje për të siguruar votat e mjaftueshme, kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Hardinaj ka pasur takim me kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Zyrtarët e AAK-së kanë thënë se takimi i zhvilluar ka qenë konstruktiv, por nuk kanë pohuar nëse kanë marr një konfirmim nga AKR-ja se do të votojë të nominuarin për kryetar të Kuvendit nga PDK-ja, Kadri Veseli.

Sipas Kushtetutës, ‘Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit’.

Në këtë rast, Partisë Demokratike të Kosovës i takon ta propozojë kandidatin për të parin e Kuvendit të Kosovës.

Kadri Veseli, i cili është kryetari PDK-së, për Lëvizjen Vetëvendosje është kandidat i papranueshëm dhe siç janë deklaruar ata nuk do ta votojnë në asnjë rast.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve.

Në rast të zgjedhjes se kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.

COMMENTS