Nisi punën Bordi Drejtues i Sigurimeve Shëndetësore

Nisi punën Bordi Drejtues i Sigurimeve Shëndetësore

Pas emërimit, ditë më parë, të Bordit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Ministrinë e Shëndetësisë sot u mbajt takimi i parë i tij.

Në njoftimin për media kjo Ministri rikujton se Bordi që është organi më i lartë vendimmarrës i Fondit. në pajtim me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, transmeton Koha.net.

Në këtë takim konstituiv, anëtarët e Bordit u njoftuan nga ushtruesi i detyrës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, lidhur me përgjegjësitë e këtij organi, ndërkohë që me vendim unanim të anëtarëve kryesues i Bordit, në bazë të parimit të rrotacionit për vitin e parë, do të jetë dr. Naim Bardiqi, përfaqësues i MSh-së në këtë bord, transmeton Koha.net njoftimin e kësaj ministrie.

Gjithashtu, në këtë takim, Bordi ka vendosur që të fillojnë përgatitjet për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili njëherësh do të jetë edhe sekretar i Bordit të Fondit pa të drejtë vote, si dhe për disa çështje teknike që lidhen me punën e Bordit.

Sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 11/42, të datës 19 prill 2018, Bordi Drejtues i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ka këtë përbërje: Naim Bardiqi nga Ministria e Shëndetësisë, Xhevat Zejnullahu – Ministria e Financave, Izedin Bytyqi – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rrezart Halili – Oda e Mjekëve të Kosovës, Naim Ismaili – Asociacioni i Komunave të Kosovës, dhe Muhamedali Kodra – Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.

Mandati i të emëruarve në Bordin Drejtues është tre vjeçar.

COMMENTS