Nis ndërtimi i rrugës katër korsi Gjilan-Livoç i Ulët (Foto)

Ministri i infrastrukturës Lutfi Zharku së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin, inauguruan fillimin e punimeve në zgjerimin e rrugës Livoç-Gjilan.

Ky projekt u tha se do të kushtojë rreth 2 milionë euro dhe ka një gjatësi 3km.

‘Sot po e fillojmë ndërtimin e korridorit infrastrukturor Gjilan-Livoç i Ulët. Zgjerimi i rrugës do të fillojë prej qendrës së qytetit dhe do të përfundoj në fshatin Livoç i Ulët, e që realisht e integron në zonën urbane. Rruga do të ketë katër korsi, zonën e gjelbër, infrastrukturën përcjellëse nëntokësore dhe ndriçimin publik. E falënderoj ministrin Zharku dhe qeverinë për përkushtimin në realizimin e këtyre projekteve’, tha Haziri, gjatë paraqitjes para gazetarëve.

Ministri Zharku tha se kjo rrugë pritet të përfundojë në afat prej 150 ditësh sipas planit dinamik.

‘Rruga do të jetë e me gjatësi mbi 3 kilometra, e me gjerësi 20 metra. Do të jetë një rrugë moderne, e cila do ta ndryshoj plotësisht pamjen e Gjilanit. Ndërsa, në fillim të korrikut do të hapen ofertat për zgjerimin e rrugës Gjilan-Liqeni i Livoçit, e cila ka gjatësi 2.9 kilometra si dhe do të fillojmë në rekonstruimin e plotë të rrugës prej Kllokotit deri në Gjilan. Definitivisht, gjatë kësaj jave presim që ta kemi edhe shpalljen e tenderit në përputhje me mendimet e qeverisë dhe Komisionit Ndërministror për autostradën e Gjilanit’, u shpreh ministri Zharku.

Banorët u shprehën të kënaqur pasi që lirimi i kësaj rruge në katër korsi do ta lehtësojë komunikacion pasi është shumë i dendur.

COMMENTS