Në garë Lutfi Haziri e Avdullah Hoti për Kryeministër – Zyrtarët e LDK’së nuk tregojnë emrin e kandidatit

Në garë Lutfi Haziri e Avdullah Hoti për Kryeministër – Zyrtarët e LDK’së nuk tregojnë emrin e kandidatit

Kush po e keqpërdor emrin e Vjosa Osmanit?
Mustafa: LDK në Qeveri vetëm nëse do ta ketë postin e Kryeministrit (Video)

Luftfi Haziri e Avdullah Hoti vazhdojnë të jenë dy emrat e mundshëm për kandidat për Kryeministër të LDK’së në zgjedhjet e ardhshme. Hoti e ka përkrahjen e anëtarëve të rinj të LDK’së dhe të Isa Mustafës kurse Haziri po përkrahet prej gardës së vjetër të kësaj partie. Sidoqoftë, askush në LDK s’po flet se kush do t’i prijë kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme. Naser Osmani thotë se Isa Mustafa duhet të japë përgjigje e Agim Veliu thotë se shpejt do të dihet emri i kandidatit.

Udhëheqësit kryesorë të LDK’së po vazhdojnë të deklarojnë se ende nuk e kanë emrin e kandidatit për Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Kështu, në garë po vazhdojnë të mbesin Nënkryetari Lutfi Haziri, që mban edhe pozitën e Kryetarit të Gjilanit dhe Avdullah Hoti, Ministër i Financave dhe anëtar i Kryesisë së LDK’së.

Hoti vazhdon ta ketë përkrahjen e Isa Mustafës dhe një pjesë të strukturave të LDK’së derisa Haziri përkrahet nga garda e vjetër e partisë.

Në këtë situatë, Nënkryetari tjetër i LDK’së, Agim Veliu, ka thënë se shpejt do të tregojnë emrin se kush do të jetë kandidat për Kryeministër.

“Organet e partisë shumë shpejt do të dalin me emrin e kandidatit të LDK-së për kryeministër”, tha Veliu, për telegrafin.

Ndërkohë, anëtari tjetër i Kryesisë së LDK’së, Naser Osmani, i cili është mik i afërt i Lutfi Hazirit, ka thënë se Isa Mustafa duhet të tregojë se kush do të jetë kandidat për Shef të Qeverisë.

“Pyetni kryeministrin, nuk jam zëdhënës i partisë unë. Thirre kryeministrin të tregon, nuk dua të prononcohem”, ka thënë Osmani, të dielën për Express.

Ndërkohë, Haziri po vazhdon të mos e thotë asnjë fjalë lidhur me mundësinë e marrjes së përgjegjësisë për të udhëhequr me LDK’në në fushatën zgjedhore.

Dje, Avdullah Hoti, tha se LDK ka kandidatin për Kryeministër derisa konfirmoi se tash për tash synon të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 11 qershor dhe mbahen pasi është rrëzuar Qeveria e Kosovës, pas një mocioni të opozitës të mbështetur nga PDK’ja.

Në tri palë zgjedhjet e fundit, LDK ka dalë partia e dytë, derisa një mandat është udhëhequr nga Fatmir Sejdiu kurse në dy të fundit nga Isa Mustafa.

Ndryshe, Isa Mustafa, të shtunën, nga Istogu, tha se nuk do të jetë kandidat i LDK’së për Kryeministër pasi ka vendosur t’iu lëshojë rrugë të rinjve./GE/

COMMENTS