Ndërron jetë në moshën 68 vjeçare aktori Bujar Lako

Filmat ku aktorët gjetën dashurinë (Video)
‘Pena e Flakës’ triumfon Agron Tufa

Në moshën 68 vjeçare, ka ndërruar jetë aktori i mirënjohur i kinemasë dhe teatrit, Bujar Lako. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij, mëngjesin e së hënës, pas një sulmi në zemër.

Karrierën e filloi fill pas studimeve të larta, në vitin 1973 si aktor në Teatrin Kombëtar. Nuk kaloi shumë kohë dhe pjesëmarrja në filmat ‘Përballimi’ dhe ‘Në fillim të verës’ do ta katapultonte në produksione më të mëdha kinemaje si ‘Gjeneral Gramafoni’, në rolin e Halit Beratit, ‘Ballë për ballë’ në rolin e Mijo Bermenës, ‘Gurët e shtëpisë time’ në rolin e Tenente Morucit dhe produksionet më të fundit ku mori pjesë ishte prodhimi i vitit 2003 ‘Lule të kuqe, lule të zeza’, ku luajti përkrah të tjerë emrave si Kastriot Çaushi, Vasjan Lami, Petrit Malaj, Mevlan Shanaj etj.

Gjithashtu, edhe ‘Magic Eye’, ku shfaqet përkrah Timo Fllokos, Alban Ukajt dhe Arta Dobroshit.

Në teatër ka interpretuar një sërë rolesh në vepra si “Vdekja e një komisioneri”, ‘Ditë vere’, ‘Ariu’, ‘Monserati’ etj.

Gjatë karrierës së tij, Bujar Lako është mirëpritur gjithnjë nga publiku, por edhe kritika e cila e ka vlerësuar edhe me çmime. I pari për të ishte në vitin 1979, ku ngriti kupën e aktorit më të mirë të festivalit të filmit për rolin e tij në filmin ‘Gjeneral Gramafoni’ dhe në vitin 2005 do të fitonte titullin ‘Palma e Artë’, me filmin ‘Magic Eye’ të Kujtim Çashkut, që përbën edhe çmimin më të madh marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A për filmin.

Titujt që mban mbi vete janë urdhëri ‘Naim Frashëri’, klasi i parë në vitin 1982, ‘Artist i merituar’ në vitin 1985 dhe ‘Nderi i kombit’, akorduar nga Presidenti i Republikës në vitin 2013.

COMMENTS