Ndërron jetë gazetari Ganimet Klaiqi

Ndërron jetë gazetari Ganimet Klaiqi

Haley: Kosova të anëtarësohet në OKB dhe NATO, aleanca më e fuqishme në histori
Dorëheqje masive në komunën e Prishtinës

Gazetari shumëvjeçar i ‘Kohës Ditore’, ka vdekur në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë. Ai nuk mundi ta mundte sëmundjen e rëndë të kancerit.

‘Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë’, ishte porosia e fundit publike e gazetarit Ganimet Klaiqi pak orë para se të jepte frymën e fundit.

Klaiqi kishte lënë gazetarinë dy vjet më parë për t’ju përkushtuar jetës akademike. Megjithatë, vazhdonte të jetonte e frymonte si gazetar.

I tillë ishte mesazhi i tij i fundit i dhënë të dielën pasdite në ‘Facebook’, shoqëruar me disa fotografi që tregonin gjendjen e tij të rëndë, por i rrethuar nga familja.

‘Të nderuar miq, profesorë, gazetarë, familjarët e mi të dashur, vëllezër e motra, që më rrini pranë në këto ditë të vështira për shërimin tim’, shkruante ai.

‘Lajmet nga shoqnia po vinë si bombë e kurdisur, pa rrugëdalje, për shkak të mendësisë del të jetë primitive, sepse sulmet ndaj mendimit të lirë janë sulme ndaj vetë historisë njerëzore. Edhe në organizimet më të vjetra liria e shprehjes ishte dhe mbeti bosht i demokracisë. Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë. Ata mund të jenë shtyllat që i japin hov luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar! Janë tanët dhe ashtu i duam’, ishte porosia e tij e fundit.

Viteve të fundit gazetari Klaiqi ishte i angazhuar si profesor. Ai pati lindur më 26 janar 1965 në Poliçkë të Kamenicës. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, të mesmen në Dardanë, fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë si edhe studimet Master i ka mbaruar po ashtu në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.

COMMENTS