NATO: Ndryshimi i strukturës së FSK-së në duar të institucioneve të Kosovës

Aleanca Veri Atlantike tha se do ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës brenda mandatit aktual, ndërsa e ka lënë të hapur çdo opsion nëse mandati i FSK-së ndryshon pas nismës së Prishtinës zyrtare që kjo të bëhet përmes ligjit.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha për Kallxo.com se kjo aleancë, e cila e ka mbikëqyrur zhvillimin e FSK-së deri më tani, do të vazhdojë ta mbështesë këtë forcë ‘brenda mandatit aktual’.

Përderisa përsëriti se e ardhmja e FSK-së është në duar të kosovarëve, Lungescu u shpreh se i përket Këshillit Veri-Atlantik të vendosë se çka do të bëjë NATO me FSK-në me mandat të ndryshuar.

‘Siç e ka thënë Sekretari i Përgjithshëm (i NATO-s) gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, NATO e mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës brenda mandatit aktual’, tha zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

Ajo tha se struktura, mandati dhe misioni i FSK-së nuk janë çështje për të cilat vendosë NATO.

‘Kjo është një çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese’, shtoi ajo.

‘NATO e mbështetë zhvillimin e FSK-së brenda mandatit aktual, bashkë me strukturat e saj civile. Nëse mandati FSK-së ndryshon, Këshilli Veri-Atlantik do ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në kuptim të ndërtimit të kapaciteteve’, tha Lungescu.

COMMENTS