Mustafa përmend punët e kryera e të pakryera më 2016

Mustafa përmend punët e kryera e të pakryera më 2016

Nazim Rexhepi, fiton për të tretën herë në Langnau të Zvicrës (Foto)
Policia nis hetimet për lindjen në korridor QKUK-së

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur konferencën përmbyllëse për vitin 2016, duke përmendur sfidat por edhe të arriturat e këtij viti.

Ai tha se Kosova gjatë këtij njëvjeçari ka pasur të arritura të jashtëzakonshme në të gjitha fushat.

Mustafa tha se gjatë vitit 2016, si rezultat i përkushtimit të Qeverisë dhe institucioneve tjera, ka rezultate të prekshme ekonomike, duke përmendur rritjen ekonomike prej 4%, që sipas tij, është më e larta në rajon.

‘Vitin e kaluar kishim rreth 18 mijë të rinj të punësuar, ndërsa sivjet presim se do të kemi rreth 20 mijë vende të reja të punës. Në reformat fiskale kemi rezultate të mira, e të cilat janë vlerësuar shumë nga raportet e Bankës Botërore. Gjithashtu, edhe përgatitja e buxhetit prej 2 miliardë eurosh. Kemi miratuar Ligjin për ‘Trepçën’, që është mirëpritur nga minatorët dhe nga qytetarët tanë’, tha Mustafa.

Kreu i Qeverisë tha se është shtuar edhe konsumi i produkteve vendore, dhe potencoi se qeveria e tij ka përkrahur shumë bujqësinë e vendit.

Ndërkohë, ai foli edhe projektet infrastrukturore, duke përmendur rrugën për Shkup, për të cilën tha se është punuar shumë, pasi konsiderohet si arterie e rëndësishme ekonomike.

‘Është punuar në autostradën për Pejë, për Mitrovicë, dhe planifikojmë të nisim punët për ndërtimin e autostradave për Gjilan dhe Podujevë. Janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e rikonstruktimit të hekurudhës dhe zgjerimin e hyrje-daljeve nëpër të gjitha qytetet më të mëdha të Kosovës’, theksoi kreu i ekzekutivit.

Tutje, Mustafa ka përmendur edhe anëtarësimet e vendit dhe institucioneve sportive nëpër organizata ndërkombëtare.

‘Për sa i përket liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kushtet, përveç përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi’, tha më tutje Mustafa.

Ai tha se testi i PISA-s ka qenë kërkesë e jona në mënyrë që të dimë se ku jemi në këtë aspekt.

‘Pas marrjes së rezultateve, tani kemi një pasqyrë të qartë se ku duhet të orientojmë përmirësimet në periudhën e ardhshme dhe do të orientojmë të gjitha energjitë në përmirësimin e nivelit të arsimit’, theksoi kryeministri.

Sfida kryesore, tha Mustafa, është çështja e demarkacionit, ‘e cila po bëhet krejtësisht për interesa personale’.

Ai përmendi edhe njohjen e Kosovës për një vit vetëm nga dy shtete si të arritur të jashtëzakonshme.

Ndërsa për vitin 2017 Mustafa tha se sfidë mbetet demarkacioni, liberalizimi i vizave, muri në Mitrovicë, rritja e cilësisë së arsimit dhe e shëndetësisë.

COMMENTS