Mogherini, Kuvendit: Ratifikojeni demarkacionin, BE-ja liberalizimin e vizave

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini ka ripërsëritur mesazhin e Brukselit se demarkacioni me Malin e Zi mbetet kusht i pandryshuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Këto komente, Mogherini i ka bërë në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

‘Propozimi i Komisionit Evropian ishte shumë i qartë. Janë dy kushte të cilat duhet të plotësohen para se të bëhet liberalizimi i vizave’, ka thënë Mogherini.

‘Këto dy kushte janë që Kosova ta përmirësoj luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ka përparime dhe kushti i dytë është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku që nga vizita e ime e fundit vitin e kaluar nuk ka pasur përparime’, ka thënë Mogherini.

‘Nëse Kuvendi e voton demarkacionin, ne, BE-ja do të lëviz shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave’, ka thënë ajo.

‘Është koha e fundit të ratifikoni Marrëveshjen me Malin e Zi dhe kjo do ta zhbllokoj liberalizimin e vizave. Ky është vendim në duart e Kuvendit të Kosovës’, ka thënë Mogherini.

Ajo u ka bërë thirrje partive politike që ta kenë të qartë se kur janë në pyetje interesat e popullit, siç është liberalizimi i vizave, ato duhet ta tejkalojnë debatin ndër partiak dhe të gjejnë rrugën përpara.

‘Besoj që partitë të gjejnë një formë pajtimi dhe ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Populli i Kosovës e dëshiron liberalizimin dhe nuk e meriton mungesën e konsensusit për liberalizimin’, është shprehur zyrtarja e lartë e BE-së.

Tutje, Mogherini ka përshëndetur angazhimin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Ajo tha se dialogu mbetet formë e pazëvendësueshme për normalizimikn e raporteve midis dy vendeve.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka kërkuar ndihmën politike Mogherinit dhe Bashkimit Evropian për të shtrirë ndikimit te opozita që ta mbështes demarkacionin me Malin e Zi. Njëherësh ka kërkuar edhe shtimin e presioneve politike mbi përfaqësuesit serb, që të kthehen në institucione.

‘Kemi kërkuar ndihmën e Mogherinit që të kalojmë pengesat e krijuara me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me malin e Zi’, ka deklaruar ai.

Mustafa tha se te kriteri i dytë, që ka të bëj me luftimin e krimit dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar përparime të dukshme.

‘Kosova është e përcaktuar në rrugën e saj evropiane’, ka thënë Mustafa, duke shprehur bindjen se një ditë edhe Kosova do të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Sa i përket dialogut me Serbinë, ai ka ritheksuar se mbetet i përkushtuar që ky proces të vazhdoj.

‘Ne e shohim dialogun me vendet fqinje, edhe me Serbinë si alternativë të pazëvendësueshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimin e proceseve në Ballkan dhe Evropë, përkundër disa kundërshtimeve që i kemi nga opozita’, ka thënë Mustafa.

COMMENTS