Mjekë nga Suedia po trajtojnë pacientët në QKUK

Mjekë nga Suedia po trajtojnë pacientët në QKUK

Në kuadër të bashkëpunimit të nisur në vitin 2004 ndërmjet Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe Qendrës Klinike Universitare të Linkoping të Suedisë, një ekip mjekësor suedez po qëndron në këtë institucion, ku në bashkëpunim me mjekët kirurgë të fëmijëve dhe kirurgë plastikë nga QKUK po kontrollojnë dhe trajtojnë pacientë. Ekipi mjekësor udhëhiqet nga menaxherja ndërkombëtare e projektit, dr. Ruhije Hoxha Beganovic, bëhet e ditur nga kjo qendër përmes një njoftimi për media.

Ekipi mjekësore ka ardhur në Kosovë ditën e hënë, më 9 prill, dhe menjëherë bashkë me kolegët nga QKUK ka filluar të trajtojë rastet në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe në Kirurgji Plastike.

Ekipin mjekësor nga Kirurgjia e Fëmijëve po e udhëheqë Peder Drott, i cili ka edhe ekipin mbështetës mjekësor. Deri tan janë kryer mbi 20 trajtime, përfshirë edhe ndërhyrjet kirurgjike, përderisa trajtimet do të vazhdojnë deri të premten.

Në anën tjetër, në Kirurgjinë Plastike, të udhëhequr nga Erkki Torpila, mjekë të tjerë dhe ekipi vendor i kirurgëve plastikë, dje kanë kryer 5 operacione mikrokirugjike, 5 të tjera janë në program sot dhe të tjerat gjatë ditës së nesërme. Janë kontrolluar dhe trajtuar edhe 48 pacientë të tjerë.

Ekipet e mjekëve nga Suedia do të qëndrojnë në Kosovë deri të premten. Kjo qendër universitare ka pasur bashkëpunim edhe me klinikat e tjera të QKUK-së.

COMMENTS