Ministria e Shëndetësisë sqaron analizat e Naser Makollit

Ministria e Shëndetësisë ka informuar përmes një komunikate për media edhe për disa detaje të tjera të rezultateve të analizave të tashmë të ndjerit, Naser Makolli.
Përmes kësaj deklarate MSH-ja përjashton mundësinë e prezencës së vezëve – cisteve të parazitëve në feces, siç ishte përfolur nëpër media ditën e djeshme.

‘Meqenëse, nëpër portale të ndryshme po komentohet për rezultatet e analizave mikrobiologjike për rastin e vdekjes së N.M, dhe pas interesimit të disa medieve lidhur me rezultatin e këtyre analizave, Ministria e Shëndetësisë – Departamenti i Shëndetësisë në Burgje, pa dashur të ndërhyjë në procedurat hetimore, por për hir të informimit të drejtë të opinionit për këtë rast, informon se dje pasdite, ka pranuar rezultatet nga IKSHPK, të cilat rezultojnë që nuk janë gjetur vezë – ciste të parazitëve në feces’, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas këtij institucioni, bazuar në këto analiza përjashtohet prezenca parazitëve, por që kjo sipas MSH-së assesi kjo nuk do të thotë se pacienti nuk ka mundur të ketë entercolit bakterial, viral, alergjik apo të ndonjë natyre tjetër.

‘Andaj, duke dashur që të jemi në funksion të respektimit të procedurave hetimore të rastit dhe të informimit të drejtë të opinionit, komunikatës së djeshme për media, lidhur me rastin, i shtojmë edhe këtë të dhënë’, thuhet tutje në komunikatën e MSH-së.

Kujtojmë se Makolli u varros të martën. Makolli ishte shoku i qelisë së Astrit Deharit, tashmë ish-aktivistit të ndjerë të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe njëri nga dëshmitarët kryesorë të vdekjes së tij.

46-vjeçari u burgos për bashkëkryerje të një vrasjeje në Sopi të Suharekës gjatë vitit të kaluar.

COMMENTS