Me ftesë të Presidentit Thaçi, Kryeministri Bullgar të hënën në Kosovë

Me ftesë të Presidentit Thaçi, Kryeministri Bullgar të hënën në Kosovë

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, shtet ky që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian, të hënën vjen në Kosovë.

Ai po vjen me ftesë të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili ditë më parë kishte zhvilluar një bisedë telefonike me të, ku ndër të tjera kishin folur edhe për Samitin e Sofjes, që vlerësohet i rëndësishëm për rrugëtimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Ardhja në Kosovë e kryeministrit bullgar është konfirmuar edhe nga Zyra për Komunikim me Publikun e Presidencës. ‘Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, vjen të hënën në Kosovë me ftesë të presidentit Thaçi. Ai do të takohet gjithashtu edhe me kryeparlamentarin Veseli dhe kryeministrin Haradinaj’, thuhet në përgjigjen e tyre.

Edhe në postimin e tij, presidentit Thaçi kishte konfirmuar se do të takohet shumë shpejt me kreun e ekzekutivit të Bullgarisë për t’u koordinuar rreth agjendës bilaterale, por edhe asaj euroatlantike. Presidenti Thaçi kishte theksuar nevojën e qartësimit të perspektivës evropiane për Kosovën, si parakusht për krijimin e një dinamike të re në përmbushjen e kritereve të nevojshme për anëtarësim të plotë në BE, derisa Samitin e Sofjes e kishte vlerësuar si një shans të ri për Kosovën në avancimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit të rëndësishëm, i cili do të mbahet në muajin maj në Sofje të Bullgarisë kishte nxitur reagimin edhe të kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy, që sipas mediave spanjolle, i kishte thënë homologut të tij bullgar se mund të mos shkonte nëse pjesëmarrës aty ishte Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Megjithatë, ditë më parë është bërë publike edhe ftesa për presidentin Thaçi, e nënshkruar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe nga Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov. Si kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së, Bullgaria në muajin maj pritet të jetë nikoqire e udhëheqësve të 27 vendeve të BE-së dhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mesin e të cilave do të jetë edhe Kosova.

COMMENTS