Mblidhen 16,200 franga zvicerane në Cyrih për nënat dhe foshnjat në Kosovë

Mblidhen 16,200 franga zvicerane në Cyrih për nënat dhe foshnjat në Kosovë

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka realizuar ngjarjen e bamirësisë ‘Shpëto Jetë’ e cila u mbajt më 12 maj në hotelin Marriott në Cyrih, Zvicër, me të cilin rast performoi artistja e mirënjohur Elina Duni ku dhe mbajti një fjalë rasti Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca.

Kjo mbrëmje bamirësie e organizuar nga “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe bashkë-organizatorët Dr. Agron Abrashi dhe Ridvan Murati, u mbajt me qëllimin e ngritjes së fondeve nga diaspora për uljen e shkallës së vdekshmërisë të foshnjave në Kosovë.

‘Nënat dhe fëmijët janë pjesa më e ndjeshme dhe më e rrezikuar e popullit tonë në Kosovë. Të shpëtosh jetë është gjesti më bujar, fisnik dhe humanitar që tregon një solidaritet të jashtëzakonshëm në mes nesh. Por të shpëtosh jetën e nënave dhe fëmijëve paraqet një prioritet më madhor dhe më të veçantë’, tha Abrashi.

Gjatë mbrëmjes, shumë personalitete të shquara dhanë kontributin e tyre dhe dhuruan fonde në koktejin tre-orësh. Pjesë e organizimit të ngjarjes ishte edhe një ankand i qetë, të cilit i kontribuuan personalitete si ikona e bukurisë dhe ndërmarrësja Agnesa Vuthaj, kreatorja e modës Drenusha Xharra, kreatorja Njomëza Luci, kompania angleze e syzeve të punuara nga druri ‘Campbell Marson’, si dhe punime argjile nga ‘Dhe by Granita’. Pjesë e ankandit ishin edhe dy fotosesione nga artistët Fjoralba Kryemadhi dhe Rromir Imami, si dhe u dhuruan foto artistike nga Barabara Burri.

Në ankand kontribuuan edhe ‘Ristorante Da Paulo’, ‘Kosova Wine’ me prodhime të verës, si dhe ‘Royal Rental Car’.

‘Solidariteti dhe mbështetja e treguar nga bashkëkombësit dhe miqtë tanë këtu në Cyrih na jep vullnet të vazhdojmë betejën për uljen e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë. Kontributi i gjithsecilit luan rol kyç në punën tonë dhe jemi falënderues të kemi një diasporë kaq aktive dhe me vullnet të palodhshëm për të mbështetur kauzën shqiptare’, tha Koordinatorja e Ngjarjes nga ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, tha Janine Mehmeti.

Të gjitha shitjet e biletave do të mbështesin programet e Fondacionit ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ në Kosovë, specifikisht në: furnizimin me pajisje mjekësore në Klinikat e Gjinekologjisë, Pediatrisë dhe Neonatologjisë, mbështetjen e dorëzimit të medikamentit Surfaktant për nevojën kombëtare, zhvillimin e sistemit të transportit neo-natal, zgjerimin e ‘Klasave për Nëna’ si dhe skrinimin e kancerit të qafës së mitrës.

Ngjarja u bë e mundur falë mbështetjes së shumë partnerëve vendorë si dhe ndërkombëtarë si ‘Solidar Suisse’, Fondacioni ‘Unë e Du Kosovën’, platforma AlbInfo.ch, kompania ‘Eurokoha’, si dhe platforma ‘Jamatu’.

COMMENTS