Mbi 970 pacientë në listë të pritjes për Stenta

Mbi 970 pacientë në listë të pritjes për Stenta

Pacolli: Engel, zëri më i fuqishëm për Kosovën në SHBA
Shkollat gjermane dhurojnë 4 kamionë me invertar shkollor në Ferizaj

Mbi 970 kosovarë gjenden në listat e pritjes për diagnostikim dhe vendosje të stentave në zemër. Ata për më shumë se një vit figurojnë në evidencat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve për stentim.

Por një ndërhyrje e tillë nuk do të mund të bëhet së paku edhe për një kohë. Procedurave mjekësore këta pacientë do të mund t’u nënshtrohen vetëm pasi Klinika e Kardiokirurgjisë të furnizohet me shtretër. Kjo pasi në këtë klinikë nuk gjendet as edhe një shtrat i vetëm për pacientët në nevojë. Përveç kësaj, Klinika e Kardiokirurgjisë ballafaqohet edhe me mungesë të mjekëve e infermierëve

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, deri në ditën e hënë, më shumë se 970 pacientë janë evidentuar në listën e pritjes për diagnostikim dhe vendosjen e stentave në zemër. Këta pacientë, sipas udhëheqësve të Klinikës së Kardiokirurgjisë, do të mundë t’u nënshtrohen procedurave mjekësore gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Lidhur me këtë çështje, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK, Tefik Bekteshi, të martën për Gazetën Express, ka shpjeguar rreth listave të pritjes, vështirësitë në udhëheqjen e Klinikës që ai drejton, si dhe mungesës së stafit.

Ai thotë se Klinika që ai e udhëheq ka mungesë të shtretërve. Sipas tij, në momentin që sigurohen shtretërit për këtë Klinikë, atëherë pacientët që gjenden në listat e pritjes për diagnostikim dhe stentim do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore.

‘Ne momentalisht nuk kemi shtretër se ku t’i shtrijmë këta pacientë. T’i thirrim, t’i shtrijmë, të bëjmë diagnostikimin apo edhe intervencën dhe pastaj t’i lëshojmë për në shtëpi. Momentalisht jemi në renovim të sallës dhe jemi të ngushtuar me shtretër. Në Kardiologjinë Invazive, momentalisht nuk kemi as edhe një shtrat. I kemi pasë 6 përpara, me një marrëveshje në mes të Kardiologjisë dhe Kardiologjisë Invazive’, ka thënë Bekteshi.

Ai, gjithashtu, thotë se po pritet që brenda këtij muaji Klinika që ai udhëheq t’i ketë së paku gjashtë shtretër, të cilët do të ndihmonin në trajtimin e 970 kosovarëve që gjenden në listat e pritjes për diagnostikim dhe stentim.

‘Puna është se për me planifikua listën duhet me pas shtratin e zbrazët me sjellë pacientin, me monitorua 24 orë se ashtu është procedura, dhe për këtë na duhen shtretër. Kemi bërë kërkesë rreth kësaj çështjeje. Në momentin kur do t’i gjejmë gjashtë shtretër unë mendoj se do ta largojmë për gjashtë muaj listën e pritjeve për diagnostikim dhe stentim”, ka shpjeguar tutje ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK.

Megjithëkëtë, sipas Tefik Bekteshit, mbetet shqetësues numri i personave që po presin për stentim.
‘Është shqetësues ky numër. Synimi ynë është që lista të mos ketë fare. Në listë ka njerëz të cilët i kanë kry diku tjetër stentat, ka njerëz të cilët pa kurrfarë nevoje kanë ardh në listë. Kujdesemi që t’u tregojmë pacientëve se çka është metoda për vendosjen e stentave. Ne jemi duke e ba revidimin e listës’, tregon Bekteshi.

‘Lufta jonë është që t’i kemi shtretërit tonë që të mund ta largojmë këtë listë’, thotë ai.
Ndërkaq, problemet me të cilat ballafaqohet Klinika që ai e udhëheq janë të shumta. Mungesa e stafit, sipas Bekteshit, mbetet njëra ndër çështjet e cila duhet zgjidhur. Klinika e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK funksionon me vetëm shtatë mjekë dhe shtatë infermierë. Ky numër, sipas Bekteshit, duhet të plotësohet për 25 infermierë si dhe në 10 mjekë të rinj.

Në këtë klinikë mbi 1 mijë pacientë kërkojnë shërbime shëndetësore në vit.
‘Kjo është një prej detyrave më të vështira që ndonjëherë e kam pas. Ne kemi mungesë të njerëzve. Nuk kemi mjaft infermierë, nuk kemi mjaft mjekë. Në Kardiologjinë Invazive i kemi vetëm 7 infermierë dhe 7 mjekë. Një optimum të cilin po e synojmë, puna e pandërprerë një apo dy salla të kenë 25 orë shërbime, të kenë 365 ditë pune pa kurrfarë ndërprerje. Neve na duhen diku rreth 25 infermierë të rinj, si dhe 10 mjekë të aftësuar për këtë çështje’, thotë drejtori.

Bekteshi, gjithashtu, shpjegon se në bazë të urdhëresës participimi për diagnostikim dhe stentim është 350 euro stenta, ndërsa koronarografia kushton 150 euro.

COMMENTS