Mbahet tribunë shkencore për heroin Idriz Seferi

Lidhja e Historianëve të Kosovës ‘Ali Hadri’ dega në Gjilan, për nderë të 170 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të vdekjes së heroit të kombit, Idriz Seferi, do të organizojë Tribunë Shkencore me temë ‘Idriz Seferi – një jetë për Shqipëri (1847-1927)’.

‘Në këtë Tribunë Shkencore, e cila do t’i zhvillojë punimet më 25 mars 2017, në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan, nga ora 10:00, do të paraqiten me kumtesa 19 historianë e studiues nga Shqipëria dhe Kosova.

Në paraqitjet e tyre do të trajtohet figura e Idriz Seferit nga gjenealogjia e familjes, orët e para të veprimtarisë së armatosur, ngritja e Idriz Seferit në personalitet prijës në Lëvizjen Kombëtare, kryengritjet e armatosura të viteve 1908-1912, Beteja e Kaçanikut, qëndresa ndaj pushtuesve serbë e bullgarë 1912-1927 dhe deri në momentet e fundit të jetës së tij.

Personaliteti dhe veprimtaria e Idriz Seferit do të pasqyrohen në të gjitha dimensionet politike, ushtarake, shoqërore dhe kulturo-arsimore. Tribuna Shkencore do t’i zhvillojë punimet në dy seanca. Organizimi i kësaj Tribune bëhet nën kujdesin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri’, thuhet në njoftimin për media të Lidhjes së Historianëve të Kosovës ‘Ali Hadri’ dega në Gjilan.

COMMENTS