Marrëveshje Vala – Z-Mobile, Mustafa ia shpëton 30 milionë euro Telekomit

Marrëveshje Vala – Z-Mobile, Mustafa ia shpëton 30 milionë euro Telekomit

Ministri i jashtëm gjerman: Votojeni demarkacionin, liroheni nga vizat
New Born sot duket kështu (Foto)

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës Agron Mustafa dhe drejtori i Z-Mobile Blerim Devolli kanë arritur marrëveshje mes vete në lidhje me vendimin e Arbitrazhit me të cilën e obligon Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë Z-Mobile 30 milionë euro.

Sipas marrëveshjes që është nënshkruar sot në mes të Mustafës dhe Devollit, Z-Mobile i merr 10 mijë numra dhe shërbimet tjera të Telekomit dhe Valës, ndërsa 3 mijë punëtorët e Telekomit mbesin në punë.

‘Ne sot i kemi ikur edhe një procesi tjetër të arbitrazhit, i cili ka mundur të ketë pasoja edhe më të mëdha për telekomin’, ka thënë Mustafa.

‘Ne sot me këtë marrëveshje, kemi arritur ta shpëtojmë Telekomin nga falimentimi’,ka thënë veç të tjerash ai.

Operatori virtual i telefonisë mobile, Z-Mobile, përmes një komunikate dërguar mediave të martën, ka njoftuar se ka iniciuar bisedimet me Telekomin e Kosovës, ‘duke shprehur vullnetin e mirë për të gjetur mundësi për ta tejkaluar këtë situatë të krijuar pas Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit’.

‘Konfirmojmë se bisedimet janë në rrugë të mirë, por ende nuk janë finalizuar. Nga Telekomi i Kosovës kanë pranuar lëshimet në procesin e përmbushjes së obligimeve të kontratës me Z-Mobile dhe janë zotuar në respektimin e saj të plotë tash e tutje, me qëllim të afarizmit dhe bashkëpunimit të shëndoshë ndërmjet dy kompanive, gjithnjë duke pasur në mendje konsumatorët dhe të punësuarit në to’, thuhet në këtë komunikatë.

Tutje thuhet se themeluesi i kompanisë, Blerim Devolli, ka ndërmarrë personalisht iniciativën për gjetjen e zgjidhjes ‘në mënyrë që të mos rrezikohen vendet e punës së punëtorëve të Z Mobiles dhe Telekomit të Kosovës, në mënyrë që këto ndërmarrje të vazhdojnë punën’.

‘Z Mobile mbetet pranë qëndrimit se vendimi për t’iu drejtuar arbitrazhit ndërkombëtar ka qenë i drejtë dhe i domosdoshëm për shkak se aty janë llogaritur humbjet e Z Mobile nga mospërmbushja e kontratës nga ana e Telekomit të Kosovës’, përfundon komunikata e Z-Mobile.

COMMENTS