Majko për Gjykatën Speciale: Në Prishtinë po luhet një politikë e cila po shkon drejt absurdit

Majko për Gjykatën Speciale: Në Prishtinë po luhet një politikë e cila po shkon drejt absurdit

Meteorologët thonë se ky dimër do të jetë më i ftohti në pesë vitet e fundit
Vuçiq: Dialogu i brendshëm për Kosovën është vendimtar për Serbinë

Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe tani ministër në Qeverinë e Edi Ramës, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se tendenca për ta zhbërë Gjykatën Speciale tani është një politikë që po shkon drejt absurdit.

‘Në Prishtinë po luhet një politikë e cila po shkon drejt absurdit. Kërkesa për anulimin e Gjykatës Speciale po prodhon paqartësi dhe frikë për të ardhmen’, shkruan Majko.

Ai pyet se si është e mundur që kundërshtuesit e tanishëm të Specialës nuk bënë zë kur ishte koha.

‘Për arsye që kishin kuptim, hyja tek ata që kishin rezerva për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet në Kosovë. Arsyetimi nuk qëndronte në mohimin e asaj që ndodhi në Luftën e Kosovës. Ai kishte të bënte me dallimin e përmbajtjes së akteve që serbët dhe shqiptarët kryen kundër njëri tjetrit, sidomos në periudhën e pasluftës. Në këtë histori dallimi i aksionit dhe reaksionit është i rëndësishëm. Ky dallim nuk mund të mbyllet me shprehjen se ‘krimi është krim, në çdo rast'(!). Edhe kodet penale më moderne e bëjnë dallimin’.

‘Aktualisht, në politikën e Prishtinës kanë filluar, me dhe pa të drejtë, të diskutojnë ‘drejtësinë’ dhe raportin e vështirë historik që krijon Gjykata Speciale për shtetin e Kosovës’.

‘Pyetja është, se pse ajo që refuzohet sot, nuk u diskutua dje kur kishte kohën?! Kjo dhe pyetje të tjera kanë kuptim më shumë se sa dhënia e përgjigjeve’.

‘Diskutimi që duhej zhvilluar dikur… tani ka një kontekst tjetër. Bllokimi i Gjykatës Speciale po shikohet nga ndërkombëtarët si prishje e një marrëveshjeje ndërkombëtare’.

‘Vota për krijimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës nuk ishte një akt ‘i brendshëm’ i sistemit legal të shtetit. Ajo angazhoi Gjykatën e Hagës në një raport zyrtar me shtetin e Kosovës. Edhe për këtë arsye, kjo kontratë ndërkombëtare me emrin ‘Gjykata Speciale’ u shoqërua me ndryshimin e Kushtetutës’.

‘Të gjithë partnerët e Kosovës po bëjnë thirrje sot që të mos vazhdohet në këtë drejtim absurd. Ai do të vendosë shtetin e Kosovës nën akuzë. Dhe ajo, nuk do ti ngjajë deklarimeve të përgjithshme që harrohen nesër. Akuza do fokusohet edhe tek persona të përveçëm të cilët do të izolohen. Dhe ky do të jetë vetëm fillimi’.

Majko ka folur edhe për partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe faktin se ata duhet të vazhdojnë t’i shikojnë shqiptarët si miq.

‘Jam i bindur se dikush që ka qenë i gatshëm të japë jetën në Luftë, nuk do ti frikësohej asnjë akuze të pabazuar. Shteti i Kosovës nuk është një çështje personale. E kundërta është e vërtetë. E drejta shtetërore nuk diskuton asnjë fat personal. Vendosja e interesit shtetëror mbi fatet e personave, dallon burrat e shtetit nga njerëzit e vegjël’.

‘Kush mendon se SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian do ta përtypin në heshtje një vendim ‘sovran’ për pezullimin e Gjykatës Speciale, gabohet’.

‘Amerikanët, sidomos ata, si miq, të duan deri në tejkalim të marrëdhënies shtetërore. Mos e dhëntë zoti, ti kesh përballë si tradhtarë të besimit të miqësisë… Me ish-ushtarin e Luftës ata sillen me rregullat e respektit ndaj tij. Ndaj pabesisë nuk kanë rregulla. Pa dallim!’.

‘Me shpresë dhe besim uroj që viti 2018 të sjell reflektim në emër të së ardhmes së shtetit të Kosovës për këtë çështje. Në marrëveshjet ndërkombëtare ku vihet në diskutim statusi i shtetit, pendesa nuk ekziston’.

‘Kosova fitoi Luftën. Tani duhet të fitojë paqen… me veten. Paqja e Kosovës kalon nga harku i Gjykatës Speciale. Harku i saj nuk ka triumf. Ai do të masë karaktere njerëzish më shumë se sa drejtësinë. Sigurisht’.

COMMENTS