Lu: Ende shpresë për dialog… por zgjedhjet janë legjitime edhe pa opozitën!

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu është i mendimit se ka ende vende për një zgjidhje të krizës politike, e cila prej më shumë se dy muajsh she

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu është i mendimit se ka ende vende për një zgjidhje të krizës politike, e cila prej më shumë se dy muajsh sheh opozitën në protestë për të kërkuar një qeveri teknike, duke refuzuar të rregjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ambasadori amerikan në vendin tonë Doland Lu sheh ende hapësira për zgjidhje të krizës politike në Shqipëri. Sipas tij, fakti që të dyja palët, mazhoranca dhe opozita u treguan të gatshëm të ulen për t’i diskutuar çështjet me dy të mandatuarit e BE-së, McAllister dhe Fleckenstein, është shenjë se mund të dialogohet sërish për të gjetur zgjidhje. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryediplomati Lu sqaroi se bisedimet nuk janë një diskutim një ditor, por një proces i gjatë që do kohën e tij.

Ai shtoi se qeveria e SHBA-ve, “është e lumtur që deri tani qeveria dhe opozita kanë bërë hapa para”, duke evidentuar faktin se edhe protesta e opozitës ishte paqësore.

I pyetur për të ardhmen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe vendimin e të djathtës për t’i bojkotuar ato nëse më parë nuk krijohet qeveri teknike, Lu tha se zgjedhjet janë legjitime edhe pa opozitën, por me opozitën do të ishin më të mirë.

Intervista

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador! Së pari, ju falenderoj për këtë mundësi. Shqipëria prej disa javësh po përjeton një krizë të gjatë politike. Para dy ditësh këtu në Tiranë ishin dy euro-deputetë, të cilët u përpoqën të ndërmjetësonin një zgjidhje mes palëve, por dështuan. Sipas jush, cilat janë pasojat e kësaj situate të krijuar tani?

Ambasador Donald Lu: Së pari Armand, faleminderit që më ftuat sërish në Zërin e Amerikës. Unë nuk do të flas për të gjitha pasojat, por dua të them se disa politikanë shqiptarë, duan që ne të mendojmë, se ne jemi pranë dhunës apo kaosit. Atyre unë do t’u përgjigjesha, siç thoni ju në gjuhën Shqipëri, ‘mos i shiko gunën por shikoji punën.’ Dhe qeveria e SHBA është shumë e lumtur që deri tani, qeveria dhe opozita kanë bërë hapa të qartë për të shmangur dhunën. Protestat kanë qenë paqësore. Nëse retorika ndonjëherë nuk ka qenë e tillë, të dyja palët kanë bërë thirrje për dialog, të dyja palët kanë thënë se nuk duan dhunë. Tani është në dorën e të gjithëve ne që të sigurohemi se këta politikanë do t’i mbajnë premtimet e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, ju nesër, së bashku me ambasadoren Vlahutin dhe me ambasadorin e OSBE-së Borchardt, keni lënë një takim me partitë e vogla parlamentare. A mendoni se ka ende hapësira për zgjidhje, sepse duket se ato janë ngushtuar gjithnjë e më tepër?

Ambasador Donald Lu: Padyshim që ka vend për zgjidhje. Është e vërtetë që dy ditë më parë, negociatat nuk prodhuan ende një zgjidhje përfundimtare. Por do thoja se negociatat shpesh nuk janë një diskutim një ditor. Negociatat shpesh janë një proces, ndonjëherë një proces i gjatë. Z. McAllister dhe Z. Fleckenstein punuan fort për të gjetur një zgjidhje. Të dyja palët ishin të gatshmë për t’u ulur dhe për të diskutuar çështjet. Kjo duhet të vazhdojë. Dhe unë kam besim të plotë se ka njerëz të zgjuar në Shqipëri që punojnë çdo ditë vazhdimisht për të gjetur një zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador! A do të ishit i shqetësuar ju nga një skenar i zgjedhjeve pa opozitën?

Ambasador Donald Lu: Jemi të qartë në besimin tonë se zgjedhjet do të jenë më të mira nëse kanë pjesëmarrjen e të gjitha partive politike. Nuk kemi hequr dorë nga ky synim. Po ashtu, është e vërtetë që zgjedhjet mund të konsiderohen të ligjshme dhe legjitime edhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Por, të jemi të qartë, të gjithë duhet të biem dakord se me pjesmarrjen e opozitës këto zgjedhje do ishin më të mira. Ne po punojmë çdo ditë për të arritur në këtë përfundim.

COMMENTS