Lladrovci kryetar i zgjedhur i Drenasit

Të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci i ka fituar zgjedhjet për kryetar të ri të komunës së Drenasit. Lladrovci ishte në garë balotazhi me konkurrentin e tij nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajlaj.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila ka thënë se në zgjedhjet për kryetar të Drenasit, kanë votuar 44.32% i qytetarëve me të drejtë vote.

‘Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Ramiz Lladrovci ka 14 mijë e 242 vota apo 62.69%. Partia Nisma për Kosovën me kandidatin Isa Xhemajlaj ka 8 mijë e 476 vota apo 37.31%. Duhet të theksojmë se në rezultat preliminare nuk janë përfshirë edhe votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta’, ka theksuar Daka.

Ajo ka shtuar se rezultatet përfundimtare të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve do të bëhen të ditura pas procesit të shqyrtimit dhe verifikimit të materialit zgjedhor dhe numërimit të votave me kusht.

Vetë, Lladrovci ka falënderuar qytetarët për, siç ka thënë, një sjellje shumë të mirë të civilizuar dhe demokratike.

‘I gjithë procesi ka qenë i mirë, për çka unë të gjithë qytetarët, pa dallim partie. I falënderoj sepse kanë qenë në nivelin më të lartë të qytetarit. Pra, kanë treguar qytetari të lartë si drenicak dhe drenicake’, tha kryetari i Drenasit.

I pyetur se a do t’i mbajë premtimet që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore, Lladrovci tha: ‘Po, një nga një’!

COMMENTS