Liqeni i Ohrit në UNESCO, fillojnë procedurat për nominim

Liqeni i Ohrit në UNESCO, fillojnë procedurat për nominim

Producentët: Mos e votoni projektligjin për Kinematografi!
Edicioni i gjashtë i festivalit ‘Albanian Film Week’ në New York me 18 filma në garë (Foto/Video)

Shqipëria duhet të dorëzojë deri në mesin e këtij viti dosjen për nominimin e Liqenit të Ohrit, si pjesë e trashëgimisë botërore që mbrohet nga UNESCO.

Aktualisht, Ministria e Kulturës ka nisur procedurën për kontraktimin e një konsulenti për të përgatitur dhe për të shkruar dokumentin e nominimit për një modifikim të konsiderueshëm të kufijve të pasurisë së Trashëgimisë Botërore ‘Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore të Rajonit Ohrit’ në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë për të përfshirë pjesën shqiptare të këtij rajoni.

Dokumenti i nominimit është materiali kryesor mbi të cilin Komiteti i Trashëgimisë Botërore vlerëson regjistrimin e siteve sipas listës.

Procesi i nominimit të zonës së Liqenit të Ohrit, si trashëgimi botërore e UNESCO-s për vlerat natyrore dhe kulturore, ka nisur që në vitin 2012. Ishte Ministria e Mjedisit ajo që hodhi idenë. Pjesa maqedonase e këtij liqeni ku ndodhen edhe dy të tretat e sipërfaqes, në fakt është pjesë e kësaj trashëgime që në vitin 1979.

Është një ndër liqenet më të vjetër në botë me një vlerë të lartë të biodiversitetit. Tashmë ka ardhur koha që pjesa shqiptare të jetë pjesë e kësaj trashëgimie. Në këtë kontekst, edhe bashkëpunimi ndërkufitar mes dy vendeve merr një rëndësi më të madhe. Projekti është miratuar nga Komisioni Europian, si pjesë e fondeve IPA. Në total bëhet fjalë për një fond prej rreth 2 mln euro, ku 1.7 mln euro është kontribut i KE-së dhe pjesa tjetër, e qeverisë shqiptare (240,000). Ky fond shërben për nominimin, si dhe për përgatitjen e dosjes që do të shqyrtohet nga UNESCO e që do të mund të jetë gati nga mesi i vitit 2017.

Pjesë përbërëse e projektit është edhe hartimi i një plani financimi për këtë zonë, pasi nuk është e mjaftueshme vetëm shpallja. Ky është një detyrim që duhet të bëhet për njohjen e zonës nga UNESCO, si dhe për përdorimin e qëndrueshëm të territorit e mbrojtjen e elementeve natyrore dhe kulturore. Është e nevojshme që të hartohet një dokument bazë, që është plani i menaxhimit të zonës, për të cilin në një fazë të dytë do të vijohet me zbatimin.

I gjithë procesi do të kërkojë 4-5 muaj kohë për të përmbyllur konsultimet dhe komentet. Dosja, së bashku me planin e menaxhimit dhe kërkesën, do të mund të shqyrtohet nga UNESCO. Më pas, ekspertët e saj do të vijnë për të verifikuar në terren të gjithë situatën.

COMMENTS