Linda Halimi çon Shqipërinë në ‘Eurosong 2017’ (Video)

Këngëtarja kosovare Linda Halimi do ta përfaqësojë Shqipërinë në ‘Eurosong 2017’, pasi ajo u shpall fituese e edicionit të 55-të të Festivalit të Këngës në RTSH.

Me këngën ‘Botë’ të shkruar nga Gerald Xhari, muzikë dhe orkestrim nga Klodian Qafoku, Lindita do të përfaqësojë Shqipërinë në garën më të madhe të këngës në Evropë.

Altin Basha, Vikena Kamenica, Vlashent Cata, Arben Duka, Petrit Çeku, Alma Bektashi, Inva Mula kanë qenë përbërja e jurisë që ka vlerësuar drejtpërdrejt nga salla garuesit e këtij edicioni.

Përpos jurisë që është brenda Pallatit të Kongreseve anëtarë të jurisë ishin edhe artistë që janë jashtë Shqipërisë duke përfshirë: Anjeza Shahini, Elsa Lila, Nertila Koka, Fatrin Krajka dhe Adelina Ismajli.

Ky edicion do të kujtohet për një sërë problematikash siç ishte veshja e ekzagjeruar e prezantueses Ledina Çelo, si dhe problemet në prezantim të aktorit Kasëm Hoxha dhe Çelos.

Megjithatë festivali në fjalë ka qenë një ndër më të komentuarit në rrjete sociale.

Edicioni i 55-të i Fest 55 do të kujtohet edhe për sjelljen për herë të parë të hologramit të këngëtares Vaçe Zela dhe performancës së sopranos me famë botërore Inva Mula.

‘Eurosong 2017’ mbahet në Kiev të Ukrainës, më datat 09, 11 dhe 13 maj.

COMMENTS