Ligji për gjuhët mbetet peng i Ivanovit

Ligji për gjuhët mbetet peng i Ivanovit

Një muaj e gjysmë nga miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov nuk ka ndërmend të firmosë të njëjtin.

Ai mbron qëndrimin se ligji është antikushtetues. Nga ana tjetër juristi Naser Zyberi thotë se në këtë rast vetë presidenti Ivanov po shkel kushtetutën. Ziberi thotë ekzistojnë disa mënyra për shpalljen e ligjit në Gazetën Zyrtare.

‘Por këtë mendim duhet ta japë Komisioni Juridiko-ligjvënës në Parlamentin e Maqedonisë sepse vetëm ai është kompetent që në këtë rast të bëjë interpretimin e dispozitave ligjore. Në të kundërtën do të duhet që të pritet që të bien dakord apo të pajtohen që presidenti ta nënshkruajë ose të priten zgjedhjet e ardhshme, që të zgjidhet një person tjetër i cili do ta bëjë nënshkrimin. Situata krejt e palakmueshme do të ishte edhe njëherë që Qeveria të propozojë që nga fillimi ligjin, që Parlamenti më pas ta miratojë’, deklaroi Naser Ziberi, analist.

Kreu i ligjvënësit, Talat Xhaferi thotë se kompetencat e Kuvendit nuk mund t’i cenojë asnjë institucion tjetër dhe se pret që së shpejti ligji të hyjë në fuqi. Xhaferi thotë se publikimi i ligjit në Gazetën Zyrtare nuk do të presë presidentin e ri.

‘Jo, jo, nuk mundet të mbetet për zgjedhjet e ardhshme. Gjithsesi se ka procedurë të caktuar, për të cilën duhet të kemi komunikim edhe me faktorin ndërkombëtar, të cilët duhet të jenë të informuar. Mendoj se për një kohë të shkurtër do të ketë zgjidhje definitive’, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit, raporton KP.

Pas refuzimit për herë të parë të presidentit për të dekretuar ligjin, i njëjti u kthye në Kuvend ndërsa për të opozita kishte parashtruar mbi 35 mijë amendamente.

Më 14 mars në një atmosferë të tensionuar mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua për së treti herë me 64 vota ‘Për’, asnjë ‘Kundër’ dhe asnjë të ‘Përmbajtur’.

COMMENTS